Kreu i GJKKO i “ankohet” shefit të OSBE-së: Kërkesat e OFL-së ngarkuan shumë gjyqtarët

schedule16:15 - 15 Shkurt, 2021

schedule 16:15 - 15 Shkurt, 2021

Ambasadori  i  Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco paraditen e sotme zhvilloi një takim me kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Sandër Simoni, i cili ndër të tjera i paraqiti shqetësimet e gjyqtarëve.

“Kryetari Sandër Simoni e informoi Ambasadorin Del Monaco mbi përfundimin e gjykimit të disa çështjeve për vepra penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe  ngarkesën e gjyqtarëve me kërkesa gjatë fazës së hetimit paraprak dhe ato për sekuestro e konfiskim në kuadër të Aktit Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 duke theksuar se pas çdo përfundimi me sukses të procedime penale të nisura nga SPAK, janë  vendimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme, qoftë si gjyqtar të hetimeve paraprake, të seancës paraprake apo si gjyqtarë të gjykimit të çështjeve” thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Akti Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 bën fjalë për Operacionin Forca e Ligjit, afati i të cilit përfundoi në 31 dhjetor të vitit që u mbyll, ndërsa në proces janë vetëm çështjet që janë referuar, pasi formularë për justifikimin e pasurisë nuk dërgohen më për subjektet.

Në njoftim theksohet gjithashtu se ambasadori Del Monaco shprehu interesimin mbi kompetencat e gjykatës  në mbikqyrjen e mirëadministrimit të pasurive të përftuara nga veprimtaria kriminale e që janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme, si dhe objektin e mundshme të gjykatës lidhur me veprimtarinë kriminale të grupeve kriminale për trafikimin e kontrabandimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme apo atë të rekrutimit të elementëve me prirje ekstremiste apo terroriste./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!