Kreu i Dhomës së Tregtisë Amerikane: Forcat politike të paraqesin më shumë programe për biznesin

schedule11:43 - 10 Mars, 2021

schedule 11:43 - 10 Mars, 2021

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço në një deklaratë për mediat bëri një bilanc të përballjes së bizneseve me pandeminë dhe atë se çfarë pasojash solli kjo situatë.

Gjatë kësaj konference Jaçe theksoi se efekti negativ i pandemisë ka qenë i madh, ndërsa shtoi se edhe ndaj bizneseve ka pasur presion të madh.

Lexo edhe: Jaço: Korrupsioni problemi më i madh për ekonominë shqiptare

Sa i përket sistemit gjyqësor dhe funksionit të tij ai tha se ka vonesa në çështje që janë të hapura duke i konsideruar të papërligjura.

“Disa nga këto vonesa vijnë sepse disa gjyqtarë janë në “Vitting”. Po ashtu ankesat kryesore vijnë edhe nga bizneset. Në të ardhmen besoj se sistemi gjyqësor mund të jetë optimist, por aktualisht mund të themi që shumë çështje nuk po zgjidhen dot”, shtoi Jaço.

Ndërsa u ndal tek korrupsioni, kreu i Dhomës Amerikanë të Tregtisë, nuk preferoi të fliste me emra konkrete tha se ka pasur edhe kompani të cilët donin të largoheshin nga Shqipëria, duke shtuar se korrupsioni është një fenomen që duhet të luftohet dhe se sipas tij forcat politike të paraqesin më shumë programe për biznesin.

“Unë nuk dua të komentoj për kompani të veçanta që mund të kenë dëshirë të veçantë për tu larguar. Shqipëria ofron mundësi të larta dhe ne mendojmë që me kalimin e kohës do të marrë zgjidhje. Në lidhje me fushatën ne inkurajojmë të gjitha forcat politike që të paraqesin më shumë programe për klimën e biznesit.

Pasi nuk janë fokusuar shumë në programe specifike në ekonomi. Ka pasur 3 ngjarje gjatë 2020 që kanë shkaktuar tek ne ndryshim sizmik se si mendojmë. Në radhë të parë situata jo pozitive, jo me dinjitet për klimën e biznesit në vendin tone e lidhur me investitorin amerikan që erdhi për të investuar në Shqipëri, indeksi i Dhomës Amerikane që pësoi rënie.

Kjo rënie ka qenë e shoqëruar dhe nga indekse të tjera, siç ishte dhe raporti i BB-së, ku Shqipëria humbi 19 vende. Kemi vënë re një mungesë besimi të shtuar dhe të investitorëve në lidhje me klimën e biznesit.

Ndaj kemi marrë një nismë, që ka të bëjë me diagnostikimin e arsyeve që lidhen me klimën e biznesit. Kam kënaqësinë që kjo analizë ka përfunduar. Kemi pasur një komunikim konstruktiv me ministrinë e Financave dhe atë të Sipërmarrjes. Kjo nuk është vetëm një çështje analizash, por zgjidhja është më e rëndësishme. Rekomandimet do të dorëzohen gjatë javës që vjen. Kemi rreth 40 rekomandime.”

/abcnews.al/