Krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor firmosin tre marrëveshjet për lëvizhshmërinë të koordinuara nga RCC, Bregu nga Berlini: U krye!

schedule15:24 - 3 Nëntor, 2022

schedule 15:24 - 3 Nëntor, 2022

Ka përfunduar me sukses përpjekja dy vjeçare e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për të ulur në një tavolinë krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim lehtësimin e lëvizshmërisë në shtetet e rajonit.


Pikërisht sot në Berlin, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të rajonit vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tre marrëveshjet e lëvizshmërisë në kuadrin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) – për lirinë e lëvizjes me letërnjoftim, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe të kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët – në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur sot në kryeqytetin gjerman.

Edhe pse u menduan si pothuajse të pamundura, pas një pune të pareshtur gjatë dy vjetësh të vështirë e të mundimshëm, të trija marrëveshjet qendrore të bashkërenduara nga RCC-ja arrijnë të shohin më në fund dritën e diellit, pasi sot ato do të preken nga ata për të cilët edhe u krijuan: qytetarët tanë!

Ashtu si ndikimi i gjithandejshëm i marrëveshjes rajonale për heqjen e tarifave “roaming” dhe korridoret e gjelbra, edhe këto tri marrëveshjeve do të prekin jetën e përditshme të qytetarëve në formë të drejtpërdrejtë dhe konkrete. Të gjitha këto kontribuojnë për ndërtimin e urave, për të cilat ka ende nevojë rajoni ynë në brendësi të vet, dhe me BE-në me trajtim të barabartë” tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në Samit.

 

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, falënderoi RCC-në për të gjithë punën e shkëlqyer të bërë në dy vitet e fundit në lehtësimin e tre marrëveshjeve të lëvizshmërisë, duke bërë thirrje për përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ky është një hap i madh integrimi drejt Tregut të Përbashkët Rajonal, sepse u jep mundësi qytetarëve për të zhvilluar përvoja dhe për të sjellë më të mirën në rajon.

Në konkluzionet e Kryesisë, pjesëmarrësit e Procesit të Berlinit riafirmuan rolin kyç të Procesit të Berlinit si një nxitës i bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtues i procesit të integrimit në BE vlerësuan përpjekjet e bëra nga Ballkani Perëndimor në zbatimin e CRM, duke vlerësuar rolin kryesor koordinues të RCC dhe CEFTA në negociatat e suksesshme të marrëveshjeve të lëvizshmërisë.

Me shpresën për procedura që do ta bëjnë të mundur ratifikimin e tyre shpejt e pa vonesa, ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për këto marrëveshje, në mënyrë që të mirat që ato sjellin të shpërndahen tek qytetarët sa më shpejt që të jetë e mundur.
Me këtë punë si shtysë dhe inkurajim për të ardhmen, është koha që të ndjekim shembullin e Shteteve Anëtare që janë bërë pjesë e nismës së korridoreve të gjelbra, në mënyrë që ta bëjmë realitet uljen e tarifave “roaming” ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Jam e sigurt që do të mund të tregojmë rezultate të tjera konkrete në Samitin BE-BP që do të mbahet në Tiranë në dhjetor të këtij viti.

Në këto kohë të vështira që po kalojmë, kemi nevojë jo vetëm për këto nisma, por edhe për masa të tjera për të qënë të integruar në fusha si energjia, rezistenca kibernetike, keqinformimi, etj. Si një mekanizëm gjithëpërfshirës rajonal, RCC-ja është e gatshme të kontribuojë për mbarëvajtjen e Procesit të Berlinit, si edhe të Samiteve të ndryshme të këtij Procesi, duke ofruar dhe siguruar një nga aftësitë që mësohet më gjerësisht në çdo vend: bashkëpunimin me njëri-tjetrin” përfundoi Bregu.

Duke pranuar se kriza energjetike dhe tranzicioni në energjinë e rinovueshme mund të menaxhohet vetëm përmes bashkëpunimit më të thellë rajonal, pjesëmarrësit e Samitit ranë dakord se Evropa duhet të rimendojë furnizimin e saj me energji dhe sigurinë e energjisë, duke siguruar energji të përballueshme dhe të besueshme, por gjithashtu duke luftuar ndryshimet klimatike dhe duke reduktuar ndotjen e mjedisit.

Për këtë qëllim, Liderët e Ballkanit Perëndimor miratuan një Deklaratë të Përbashkët për Sigurinë e Energjisë dhe Tranzicionin e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit riafirmuan angazhimet e rajonit ndaj Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAËB), një tjetër agjendë e koordinuar nga RCC, për të garantuar neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.

Pjesëmarrësit e Samitit theksuan dëshirën e tyre për vazhdimin e Procesit të Berlinit, me qëllim shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal të përmirësuar dhe gjithëpërfshirës. Ranë dakord që Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit 2023 të mbahet në Shqipëri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!