Me ndihmën e Moskës, Bashar al-Assad arriti të arratisej nga Siria, pak para se rebelët të pushtonin Damaskun, duke i dhënë fund sundimit të tij.
Sipas medias amerikane Bloomberg, Kremlini organizoi arratisjen e Assad nëpërmjet një baze ajrore ruse, ndërkohë që rebelët avanconin drejt kryeqytetit sirian.
Moska e bindi Assad se do ta humbiste pushtetin dhe i ofroi aleatit të vjetër dhe familjes së tij, kalim të sigurt në Rusi nëse largohej menjëherë, ashtu siç edhe ndodhi.
Fillimisht presidenti i rrëzuar u largua nga Damasku me një avion privat, që më pas humbi gjurmët nga radarët.
Disa media ndërkombëtare raportuan madje se avioni i Assad mund të ishte rrëzuar, por e gjitha kishte qenë një skemë për të shmangur një skenar tradhtie.
Bashar nuk i tregoi asnjë këshilltari të tij që po largohej dhe çaktivizoi transponderin e avionit për të humbur gjurmët.
Avioni u drejtua për në bazën ajrore ruse në bregdetin sirian dhe nga atje ai fluturoi me një avion ushtarak rus për në Moskë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov refuzoi të zbulojë menjëherë vendndodhjen e presidentit të rrëzuar sirian. Megjithatë, ai sqaroi se Vladimir Putin nuk ka ndërmend të takohet me al-Asadin në Moskë.
Deri më tani, Moska nuk ka bërë një koment zyrtar për rënien e regjimit sirian të al-Assad edhe pse i ka ofruar atij dhe familjes së tij azil.
Rënia e regjimit sirian vjen pas viteve të mbështetjes financiare dhe ushtarake ruse për luftën e Assad kundër grupeve rebele.
Një raport i Business Insider tha se Moska tërhoqi anijet e saj luftarake nga baza detare ruse në Tartus në bregdetin sirian pasi Assad u arratis, ndërsa ushtria ruse ende nuk i ka tërhequr plotësisht forcat e saj nga Siria./abcnews.al