Presidenti i Rusisë Vladimir Putin nuk do të urojë ende Zelenskij për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Ukrainë. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, është ende herët për një hap të tillë.
Është ende herët për të folur për urime nga ana e Presidentit Vladimir Putin për Zelenskij, përveç mundësisë për bashkëpunim. Kështu u shpreh zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov i cituar nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”.
Ai shtoi se gjykimi bëhet në baza konkrete dhe pas hapave specifikë. Ndër të tjera nuk ka ende një rezultat zyrtar të këtyre zgjedhjeve, theksoi Peskov.
Ky i fundit tha se Rusia respekton zgjedhjen e bërë nga qytetarët e Ukrainës dhe pse dyshon për legjitimitetin e procesit. Moska e respekton zgjedhjen e popullit ukrainas, sidomos se pse kjo zgjedhje ishte shumë e qartë u shpreh Peskov. Por sipas tij legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve është vënë në diskutim për faktin se tre milionë qytetarëve nuk iu lejua të votojnë.
Sipas rezultatit të numërimit të 99 për qind të fletëve të votimit, Vladimir Zelenskij është dukshëm në avantazh në krahasim me rivalin, kreun aktual të shtetit Petro Poroshenko – 73,21% kundrejt 24,46%.
Kryeministri rus Dimitri Medvedev në një postim në profilin e tij në Facebook shkruante se për Moskën ka ende një mundësi për të përmirësuar bashkëpunimin me Ukrainën. Por gjithësesi ai shtoi se nuk duhet të ketë iluzione.
Presidenti i sapozgjedhur do të ulet në postin e tij në 31 maj. /abcnews.al