Kremlini mohoi tensionet midis ushtrisë ruse dhe forcave mercenare të Vagnerit, pas pretendimeve për fitore në fushëbetejë në Ukrainë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 16 janar sugjeroi se ky konflikt është shpikur nga gazetarët dhe blogerët ushtarakë.
“Kjo kryesisht është produkt i manipulimit të informacionit”, tha Peskov për gazetarët. “Që të gjithë ata po luftojnë për atdheun e tyre”, tha Peskov duke iu referuar ushtrisë dhe Vagnerit.Grupi i mercenarëve Vagner është themeluar nga biznesmeni i lidhur me Kremlinin, Yevgeny Prigozhin.
Peskov shtoi se Rusia njeh “të gjithë heronjtë”. “Rusia i njeh të gjithë heronjtë që po shërbejnë për forcat tona të armatosura…dhe heronjtë nga Vagneri”, theksoi ai.
Informacionet se ka rivalitet midis forcave të rregullta dhe grupit janë intensifikuar pasi Prigozhin javën e kaluar insistoi se luftëtarët e tij kishin marrë kontrollin e qytetit të minierave Soledar, që gjendet në lindje të Ukrainës.
Ai kritikoi përpjekjet për “marrjen e fitores” nga Vagneri. Prigozhin njoftoi për marrjen e Soledarit më 11 janar.
Por, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë shpejt hodhi poshtë pretendimet e Prigozhinit dhe shpalli “çlirimin” e qytetit dy ditë më pas.
Megjithatë, në një pranim të pazakontë të forcave private, Ministria ruse e Mbrojtjes më 13 janar tha se mercenarët e Vagnerit ishin “të guximshëm”.
Grupi i mercenarëve Vagner është themeluar më 2014 dhe mercenarët e këtij grupi kanë marrë pjesë në konflikte në Afrikë, Amerikë Latine dhe Lindje të Mesme. Megjithatë, ky grup u bë më i famshëm pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022. /REL