Kremlini e konfirmon: Kryeministri indian Modi do ta vizitojë Rusinë

schedule11:57 - 25 Qershor, 2024

schedule 11:57 - 25 Qershor, 2024

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, do ta vizitojë Rusinë, njoftoi të martën Kremlini.

Këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin për punë të jashtme, Yuri Ushakov, tha se janë duke u bërë përgatitje për vizitën e Modit, por nuk tregoi datë, duke shtuar se për këtë do të vendosej bashkërisht më vonë.

Rusia ka mbajtur lidhje të forta me Indinë prej Luftës së Ftohtë, dhe rëndësia e Nju Delhit si partnere kyçe tregtare për Moskën është rritur edhe më shumë prej se Kremlini e dërgoi ushtrinë në Ukrainë në shkurt 2022 për ta nisur pushtimin e saj.

Kina dhe India janë bërë blerësit kryesorë të naftës ruse pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vendosën sanksione ndaj eksportit të naftës ruse në shumicën e tregjeve perëndimore.

Nën sundimin e Modit, India nuk e ka dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë, derisa e ka theksuar nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.

Modi së fundmi u rizgjodh kryeministër për mandatin e tretë radhazi.

Ai e vizitoi Rusinë për herë të fundit më 2019, për një forum ekonomik në portin Vladivostok. Vizita e tij e fundit në Moskë ishte më 2015./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!