Kremlini detyron marinarët e Ukrainës të pranojnë se provokuan

schedule23:25 - 27 Nëntor, 2018

schedule 23:25 - 27 Nëntor, 2018

Rusia ka publikuar deklarata me video të 3 marinarëve ushtarakë të Ukrainës, të cilët u përfshinë në incidentin me ushtrinë ruse në afërsi të Krimesë. Ata pranojnë se vepruan për të provokuar Kremlinin. Ndërsa Kievi shprehet se ata kanë dhënë këtë deklaratë nën presion.

Shërbimi i brendshëm i sigurisë në Rusi ka publikuar deklarata nga 3 marinarët ukrainas të kapur pasi anijet e kremlinit hapën zjarr dhe sekuestruan 3 anije të Ukrainës në afërsi të Krimesë. Njëri prej tyre, Vladimir Lesovoy, tha se është i vetëdijshëm i natyrës provocative të veprimeve të Ukrainës. Ndërsa dy të tjerët pranuan se kanë neglizhuar thirrjet e shërbimit kufitar rus se po shkelin në ujërat e tyre territorial. Drejtuesi i marinës ushtarake të Kievit thotë se ata janë detyruar të thonë gënjeshtra gjatë rrëfimeve. Shtetet perëndimore kanë dënuar përdorimin e forcës nga Rusia, 4 vite pasi aneksoi gadishullin e Krimesë.

Incidenti i fundit është përplasja e parë mes Ukrainës dhe forcave Ruse për vite, megjithatë separatistët pro-rusë dhe “vullnetarët rusë” kanë luftuar kundër ushtrisë ukrainase në dy rajone lindore. Tensionet u përshkallëzuan kur forcat e Kremlinit hapën një urë këtë vit mes Rusisë dhe Krimesë në ngushticën Kërç, që të çon në detin Azov. Ukraina ka dy porte të mëdha në brigjet veriore të detit Azov dhe në bazë të traktatit të vitit 2003, të dy vendet kanë të drejtë qasjeje në këto ujra.

Rusia akuzon dy lufanijet dhe një remorkiator ukrainas se kanë shkelur në ujërat territorial të saj ndërsa po lundronin në ngushticën Kërç. Por Kievi thotë se incidenti ndodhi në një zonë që është e lirë për lundrim. Ndërkohë, mbrëmjen e së hënës parlamenti i Ukrainës aprovoi vendimin e presidentit Petro Poroshenko për të aktivizuar ligjin e ushtrisë për 30 ditë në 10 rajonet kufitare. Kreu i shtetit tha se kërcënimi për një pushtim të mundshëm nga Rusia është shumë serioz. Ligji i ushtrisë është i paprecedentë në Ukrainë dhe i jep ushtrisë autoritet për të ndaluar protestat dhe grevat. Mobilizimi i civilëve për shërbimin ushtarak është i mundur por jo i pashmangshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!