Kredia për biznesin e madh arrin nivelin më të lartë në pesë vjet

schedule14:36 - 8 Nëntor, 2021

schedule 14:36 - 8 Nëntor, 2021

Kreditimi i biznesit të madh nga sektori bankar është në rimëkëmbje të dukshme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për korporatat po rritet në mënyrë të qëndrueshme prej një viti. Në fund të muajit shtator, portofoli i kredisë për biznesin e madh arriti vlerën e pothuajse 201 miliardë lekëve ose rreth 1.65 miliardë eurove.

Kredia për biznesin e madh nuk është frenuar nga periudha e pandemisë, por përkundrazi ka qenë ndër segmentet që ka dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e portofolit të huasë për ekonominë. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë është rritur me pothuajse 9%, ndërsa portofoli ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2016.

Kredia për korporatat ishte një produktet që krijoi më shumë vështirësi për bankat në dekadën e fundit. Dështimi i disa kompanive të mëdha në tregun vendas solli rritje të ndjeshme të raportit të kredive me probleme, duke i angazhuar bankat në një proces të gjatë të administrimit të aktiveve të këqija dhe pastrimit të portofoleve. Për banka të veçanta, kreditë e këqija korporative ishin përcaktuese madje në ecurinë e biznesit dhe në vendimet për të dalë nga tregu shqiptar. Për këtë arsye, portofoli i kredisë për korporata pësoi rënie të vazhdueshme, deri afër fundit të vitit 2019. Kjo erdhi falë pastrimit të sasive të mëdha të kredive të humbura nga portofolet, por edhe nga hezitimi i bankave për ekspozime të mëdha, duke parë mësimet e dekadës së fundit.

Bankat punuan sidomos në drejtim të një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë, duke e përpjekur të rrisin peshën e individëve dhe SME-ve në portofolin e tyre të huasë. Kjo strategji ka dhënë rezultatet dhe tashmë biznesi i madh zë më pak se 32% të portofolit të kredisë, nga rreth 42% që zinte një dekadë më parë.

Duke filluar nga viti 2020, ecuria e kredisë për korporatat ka nisur një cikël pozitiv. Rritja e kredisë për korporatat është një zhvillim domethënës për sektorin bankar, sepse dëshmon se tashmë bankat po shfaqen më të gatshme të marrin përsipër ekspozime në shuma të mëdha. Kjo qasje më pozitive e bankave ndaj biznesit të madh është ndikuar nga disa arsye. Së pari, raporti i kredive me probleme ka ardhur në rënie të vazhdueshme, rënie që ka vijuar edhe pas shpërthimit të pandemisë. Nga ana tjetër, procesi i konsolidimit të sektorit bankar ka ndikuar në krijimin e bankave më të mëdha, më të shëndetshme dhe më të gatshme për të marrë përsipër rrezik. Në dy vitet e fundit, nuk kanë munguar kreditë në vlera të konsiderueshme, disa herë edhe në formën e kredive të përbashkëta, siç ishte rasti i kredisë 26 milionë euro për rrugën Orikum-Dukat, apo i kredisë prej 37 milionë eurosh (në sindikatë me banka të huaja) për kompaninë telefonike One. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!