Bashkimi Europian po përpiqet të sigurojë financimin e nevojshëm për Ukrainën nëpërmjet aseteve ruse, por bisedimet duket se po bëhen gjithnjë e më të vështira.
Shefja e diplomacisë së bllokut, Kaja Kallas tha se po vazhdojnë diskutimet për një kredi dëmshpërblimesh, por ky skenar duket se nuk ka për të shkuar deri në fund.
Ministri i Jashtëm francez Jean Noel Barrot yha se udhëheqësit e bllokut do të marrin një vendim deri në fund të javës, por pengesat janë ende të shumta.
Belgjika, e cila mban më shumë se 193 miliardë euro para ruse, është pala më e shqetësuar dhe nuk pranon të japë dritën jeshile për planin nëse nuk ka garanci të forta se nuk do të ketë pasoja për të.
Të premten, vendet anëtare të unionit ranë dakord me shumicë të madhe për të ngrirë për një kohë të pacaktuar gati 210 miliardë euro asete ruse që mbahen në bankat europiane, kryesisht në Euroclear në Belgjikë.
Po ashtu siç kishte paralajmëruar Banka Qendrore e Rusisë e paditi Euroclear në një gjykatë në Moskë duke kërkuar 230 miliardë dollarë dëmshpërblim nga.
Zhvillimet e fundit nga Bashkimi Europian vijnë teksa këtë të hënë në Berlin mbahet raundi i radhës i bisedimeve mes Ukrainës dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Kancelari Merz, shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe shefi i NATO-s Mark Rutte janë krah Volodymyr Zelensky, i cili të dielën tha se vendi i tij është gati të bëjë kompromis dhe të heqë dorë nga NATO në këmbim të garancive të forta të sigurisë për t’i dhënë fund luftës.
Në një reagim pas kësaj deklarate, kremlini tha se kjo çështje është një nga gurët e themelit dhe subjekt i diskutimit të veçantë.
Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të heqë dorë zyrtarisht nga përpjekja e saj për në NATO dhe të tërheqë trupat nga afërsisht 10 përqind e zonës lindore të Donbasit, të cilën Kievi ende e kontrollon.
Rusia ka thënë gjithashtu se Ukraina duhet të jetë një vend neutral dhe asnjë trupë e NATO nuk mund të vendoset në të.

