Kryetari i sapo zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një deklarate për shtyp ka theksuar se brenda muajit do të zgjedhin edhe kryesinë e re të PDK-së.
Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se në rrugëtimin për reformim të PDK-së do të jetë edhe ish-ambasadorja Vlora Çitaku. Ai është zotuar për opozitë aktive, meqë sipas tij qeveria aktuale është e zbehtë dhe pa rezultate.
Krasniqi para medieve ka thënë se sot është rikonfirmuar uniteti dhe demokratizimi në parti.
“Unë do të punojë qysh sot në krijimin e ekipit të ri ekzekutiv të PDK-së. Nuk do të jap një datë, por nuk ta vonojë shumë, padyshim që do të ndodhë shumë shpejt. Brenda këtij muaji po se po, por më shpejt se aq. Zgjedhjet lokale janë padyshim fokus shumë i rëndësishëm, ne kemi filluar me prezantimin e disa kandidaturave dhe do të vazhdojmë me kandidaturat e reja. Pastaj deri më datën 17 gusht do t’i kemi të gjithë kandidatët edhe për asamble. Në mënyrë që t’ua shfaqim drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës ofertën tonë të re, e që do të jetë përfaqësuese për secilin prej tyre”, ka deklaruar ai para medieve.
Më tej Krasniqi theksoi se opozitarizmin karshi qeverisë Kurti do ta kenë aktiv.
“Unë ju siguroj që opozitarizmin tonë do ta kemi aktiv e jo destruktiv, kritik por jo pengues. Do ta kemi në funksion të korrektimit të kësaj qeverie krejtësisht apatike, e cila e ka treguar saktë se çfarë qeverie është për 100 ditë. Me qeverisjen e PDK-së nuk mund të krahasohen, është më e zbehtë dhe më pa rezultate se qeverisjet e kaluara. Kështu që ne do ta luajmë rolin tonë opozitar në një mënyrë që do të jetë në përputhje me pritjet dhe kërkesat e qytetarëve”, u shpreh ai.
Krasniqi e bëri të ditur se në rrugëtimin për reformim të PDK-së do të jetë edhe ish-ambasadorja Vlora Çitaku.
“Pa dyshim që Vlora Çitaku është një nga bashkëpunëtoret e mia të hershme, të parat. Përveç që ne njihemi shumë para angazhimit tonë politik edhe fakti që kemi edhe respekt të ndërsjellë, të jashtëzakonshëm, ne kemi rrugëtuar politikisht bashkë për shumë vjet. Kemi pasur fatin që të marrim përgjegjësi instituicionale pothuajse në kohën e njëjtë. Jemi zgjedhur bashkë deputet në viin 2007 dhe krejt rrugëtimin tonë politik e kemi të përafërt dhe shumë bashkëpunues. Unë shpresoj shumë dhe pres që Vlora të jetë ndër shtyllat kryesore të vizionit tonë të ri dhe kapitullit të ri politik”, ka thënë ai.
Memli Krasniqi është kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës. 469 delegatë të Konventës së dhjetë zgjedhore të PDK-së kanë votuar pro tij, ndërsa shtatë të tjerë kundër.