Ditë e madhe për sportin shqiptar.
Menjëherë pasi kombëtarja kuqezi e futbollit siguroi plej ofin e Kupës së Botës, dhe në prag të duelit të Kosovës për të shkuar në plej of, nga Zagrebit vijnë lajme të shkëlqyera për sportin e xhudos.
Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në Çmimin e Madh të mbajtur në kryeqytetin e Kroacisë, pasi triumfoi në finale ndaj hungarezes, Reka Pup.
Lufta ishte për peshën deri 52 kg dhe suksesi I luftëtares “dardane” ishte me triumfin më të madh e më bindës, që njihet në gjuhën teknike si “ipon”.
Po me “ipon” ajo I fitoi të gjitha sfidat e tjera në këtë Grand Prix.
Në moshën 30-vjeçare, Krasniqi po tregon se mbetet në nivelet më të larta, duke konfirmuar parashikimin si favorite.
Jo më kot është tri herë kampione e Europës, në 2021, 2024 e 2025, nënkampione e botës këtë vit, kampione olimpike në 2021 në Tokio, dhe nënkampione olimpike vitin e kaluar në Paris.
Kosova mori pjesë në Çmimin e Madh të Zagrebit edhe me xhudisten tjetër, Flaka Loxha, e cila arriti tri fitore dhe pësoi dy humbje.
Pasi u mund në çerekfinale, fitoi të drejtën për të luftuar për medaljen e bronzit sepse mposhti Ofeli Velozin e Francës, por zvicerania Ndiaje u tregua më e fortë e e mori ajo vendin e tretë.

