Krasniqi: Asociacioni, pjesë e marrëveshjes së përgjithshme

schedule21:32 - 1 Shkurt, 2023

schedule 21:32 - 1 Shkurt, 2023

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi thonë në një intervistë për Zërin e Amerikës se forca politike që drejton, i mbetet qëndrimit që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të krijohet si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme Kosovë-Serbi. E kjo e fundit, sipas tij, duhet të përfshijë dhe njohjen e ndërsjelltë.

Zoti Krasniqi shton se një marrëveshje finale, pa njohjen e ndërsjelltë, nuk ofron stabilitet për Kosovën.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës kryetari i Partisë Demokratike kritikon kryeministrin e Kosovës për mungesë koordinimi me SHBA-të, duke e cilësuar qëndrimin e zotit Kurti mbi Asociacionin, një kauzë false, me të cilën erdhi në pushtet, e që vazhdon ta mbajë peng.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, kryeministri Kurti ka këmbëngulur se Asociacioni njëetnik është i papranueshëm në Kosovë. Këto ditë që është shtuar trysnia ndërkombëtare për t’i dhënë një zgjidhje urgjente kësaj çështjeje, a ka partia juaj një qëndrim të ri që pasqyron dinamikën e fundit?

Memli Krasniqi: Partia Demokratike e Kosovës ka pasur gjithmonë një qëndrim konsistent për sa i përket çështjes së dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kuadër edhe për Asociacionin që parashihet të krijohet si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme. Pra, që në fillim duhet thënë që besojmë se Asociacioni duhet të jetë, nëse ndodh, si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme, e cila duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë. Qëndrimin tonë të thjeshtëzuar do ta ndaja në pesë pika kryesore. Unë e kam paraqitur pas vizitës time të kaluar në SHBA dhe në Bruksel, edhe në Parlamentin e Kosovës dhe ne besojmë që si shtylla qëndrore të një marrëveshjeje finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për Kosovën dhe Serbinë, duhet të jetë para së gjithash, ruajtja e karakterit unitar të Republikës së Kosovës, në kuadër të rregullimit aktual kushtetues, më pas njohja nga pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën. Si pikë e tretë, fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO në partneritetin për paqe, si hap të parë dhe katër, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe padyshim e pesta, si më e rëndësishmja njohja e ndërsjellë. Në këtë kuadër, Asociacioni nënkuptohet vetëm ashtu siç e ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në aktgjykimin e vet të vitit 2015, pra ku parasheh saktësisht se çfarë kompetencash mund të ketë themelimi i këtij Asociacioni. Ajo që gjithmonë duhet të theksohet është se Gjykata Kushtetuese në pikën e parë ka thënë që duhet të themelohet, por ka treguar pastaj një sërë çështjesh shumë të detajuara, se cilat pika duhet të kemi parasysh që të mos shkelet fryma kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Pra, duhet bërë harmonizimi i nevojshëm me Kushtetutën e Kosovës?

Memli Krasniqi: Ai ka qenë qëndrimi ynë gjithmonë. Në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe para së gjithash, Shteteve të Bashkuara, unë besoj që Kosova gjithmonë ka pasur një rol konstruktiv dhe këtë rol duhet ta ruajë. Nuk ka asnjë sukses në historinë tonë të re pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Andaj sot rreziku më i madh që ne e shohim është kjo rezistencë, jo ndaj Asociacionit, por ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ka qenë thirrja dhe kërkesa jonë gjatë gjithë kohës, në këto dy vite të qeverisë së kryeministrit Kurti, që veprimet që lidhen me çështje të rëndësishme jetike për Kosovën dhe popullin e vet, duhet t’i koordinojë para së gjithash me SHBA-në.

Zëri i Amerikës: Ju thoni zoti Kurti ka qëndrim kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ju, kam parasysh këtu që faktorët ndërkombëtarë duket se po i shohin këto dy procese të palidhura me njëra-tjetrën, duke kërkuar madje zgjidhje urgjente për Asociacionin. A mendoni dhe ju kështu që kjo çështje kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe tani?

Memli Krasniqi: Problemi është që në momentin kur ti nuk je i angazhuar në një proces negociator, normalisht që diskutimet mund të kenë një kakofoni dhe zëra të ndryshëm. Ne kemi inkurajuar dhe kemi mbështetur qeverinë dhe kryeministrin Kurti gjatë gjithë kohës në raport me Serbinë, në raport me dialogun dhe kërkesa kryesore ka qenë koordinimi me partnerët ndërkombëtarë, me SHBA-të, në mënyrë të veçantë. Për të gjitha çështjet ne pajtohemi që nuk duhet të ketë një ndarje të Asociacionit nga dialogu dhe nga marrëveshja. Absolutisht jo. Ne nuk e mbështesim në asnjë mënyrë kërkesën që Asociacioni të jetë i ndarë prej marrëveshjes së përgjithshme. Asociacioni mund të konsiderohet vetëm në kuadër të marrëveshjes, sepse edhe kur është nënshkruar si marrëveshje bazë, në vitin 2013 dhe më gjerë më 2015-ën, është konsideruar si një nga veprimet që do të bëhet në kuadër të arritjes së marrëveshjes së përgjithshme, që do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Edhe nga takimet që kam pasur në Uashington këto dy ditë, në Departamentin e Shtetit, në Departamentin e Mbrojtjes, pastaj më tutje do jem edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e kështu me radhë, me shumë nga miqtë tanë në Kongres, nuk ka një kërkesë të tillë që çështjet të jenë të ndara. Kërkesa është që Kosova të luajë një rol më proaktiv, që qeveria të ndërmarrë detyrimet që ka, që klasa politike të jetë e angazhuar vërtet dhe unë besoj që e vetmja rrugë është kjo, që të kemi një qartësi dhe të kemi koordinim dhe një partneritet të vërtetë edhe në këtë çështje, me SHBA-të.

Zëri i Amerikës: Një nga shqetësimet kryesore të ngritur nga kundërshtarët e Asociacionin, është se ai mund të shndërrohej në një formacion të tipit të Republikës Serbe të Bosnje-Hercegovines. Uashingtoni dhe Brukseli thonë se japin garanci se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Sa realiste janë këto shqetësime?

Memli Krasniqi: Në momentin kur ne kemi premtimet dhe zotimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimit Evropian për një çështje dhe pastaj themi kjo nuk do të ndodhë, kjo i bie që nuk kemi besim tek ata. Unë besoj se populli i Kosovës dhe Shteti i Kosovës sa herë që ka pasur mirëbesim me partnerët ndërkombëtar ka arritur suksese. E vërteta është kjo, jo vetëm tani, kurrë asnjëherë, që nga viti 2013 e tutje, nuk është kërkuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të ketë karakter të tipit ekzekutiv, përtej kushtetutës së Kosovës, e aq më pak një “Republike Serpska”. E vërteta është se zoti Kurti, në kohën kur ishte në opozitë, duke ndërtuar kauzë të rrejshme për Asociacionin, ka krijuar jo vetëm mbijetesën, por edhe rritjen e tij politike, e cila e ka sjellë edhe në zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Dhe sot ai është peng i të kaluarës së tij nga e cila nuk po mund të lirohet. Ne ia kemi lehtësuar vërtetë që në pozicionin që është si Kryeministër i qeverisë së Kosovës, ai të rezonojë me racionalitetin e nevojshëm për shtetin e Kosovës, për perspektivën e qytetarëve të Kosovës, për partneritetin strategjik të Kosovës. Dhe fatkeqësisht nuk jemi duke e parë atë duke bërë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Në këto momente që në Kosovë po diskutohen çështje të ndjeshme për vendin, ajo që vihet re është një mungesë e bashkëpunimit mes forcave politike. Secila parashtron qëndrimet e veta, që nuk konvergojnë me njëra-tjetrën, por pa ofruar zgjidhje të përbashkët. Çfarë mendoni se mund të bënte partia juaj dhe opozita në përgjithësi?

Memli Krasniqi: Në fakt, e vërteta është se lidhur me dialogun, Asociacioni deri në një pikë, për çështjet e tjera strategjike dhe për qëllimet kryesore dhe finale të dialogut, ne besoj që jemi absolutisht jo vetëm në linjë të njëjtë, por edhe me qëllime, e qëndrime të njëjta. Kjo është arsyeja që si opozitë, si Parti Demokratike, ne e kemi mbështetur qeverinë në vazhdimësi në këto dy vite, duke besuar që do të jenë vërtet serioz dhe të vendosur për t’i arritur qëllimet shtetërore të Kosovës. Përsa i përket çështjes së koordinimit të veprimeve, para se gjithash, kjo duhet të jetë një çështje që duhej t’i takonte qeverisë. Në të kaluarën, kur ne kemi qenë në qeveri, përsa i përket dialogut kemi shkuar aq larg sa kemi ofruar që edhe opozita ta udhëheqë procesin e dialogut dhe ajo opozitë sot është në pushtet. Ne nuk kërkojmë pjesëmarrje, e as nuk dëshirojmë të jemi pjesë e diskutimeve, tryezës së bisedimeve. Ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, që këtë prerogativë ia jep konkretisht kryeministrit dhe qeverisë. Por mbështetjen e kemi dhënë edhe konkretisht në raport me Serbinë dhe për të arritur qëllimet në këtë proces. Por kjo në asnjë rast nuk mund të kuptohet që ne do të mbështesim qeverinë në rezistencën e saj kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e konsiderojmë si të rrezikshme dhe të dëmshme. Besojmë se çfarëdo paqartësie apo mosmarrëveshje që mund të kemi, duhet t’i shtrojmë jo publikisht, por në tryezën e diskutimeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, a është i pranueshëm për ju propozimi franko-gjerman për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë?

Memli Krasniqi: Në versionin aktual që unë e kam parë, i cili ka qenë versioni origjinal, kam patur vërejtje të shumta dhe nuk kam konsideruar që mund të arrihet një zgjidhje afatgjatë me atë dokument. Por besoj dhe kam besuar që atëherë që qeveria, kryeministri para se gjithash, të angazhohet në përmirësimin dhe ndryshimin e atij teksti, dhe mbi të gjitha, jashtë atij teksti të marrë garanci nga partnerët ndërkombëtarë për përfitimet që mund të ketë Kosova. Por pa njohje të ndërsjellë, asnjë marrëveshje nuk i ofron Kosovës stabilitet./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!