Nga Erblina Mile
4 muaj para zgjedhjeve parlamentare qeveria ka shtuar numrin e të punësuarve në administratën shtetërore. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në periudhën tetor-nëntor-dhjetor të 2020-ës figurojnë të punësuar në total 182 mijë e 547 punonjës. Rezulton se kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë nëse e krahasojmë me 5 vitet e fundit.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë futur në punë 8 mijë e 159 persona më shumë. Trendi është rritës dhe nëse e krahasojmë me tre mujorin paraardhës të 2020.-ës. Rezulton se janë punësuar në këtë periudhë 10 mijë e 572 persona më shumë. Administrata shtetërore është i vetmi sektor që ka njohur shtimin e punonjësve në këtë periudhe pandemie.
Punësimi në privat në të kundërt ka pësuar një ulje gjatë 3 muajve të fundit të 2020. Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se janë 4633 punonjës më pak vetëm në harkun e tre muajve.
Edhe sektori bujqësor duket se është goditur nga pandemia duke pësuar një ulje nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT rezulton se në tre muajt e fundit sektori bujqësor ka pasur një ulje të numrit të punësuarve me mbi 13 mijë persona.
TË PUNËSUAR NË SEKTORIN SHTETËROR
TETOR-NËNTOR-DHJETOR 2019 174,388 persona
TETOR-NËNTOR-DHJETOR 2020 182,547 persona
8 MIJË E 159 PERSONA MË SHUMË
TË PUNËSUARIT NË SEKTORIN PRIVAT
TETOR-NËNTOR-DHJETOR 2019 515,969 persona
TETOR-NËNTOR-DHJETOR 2020 511,336 persona
4 MIJË E 633 MË PAK
TË PUNËSUARIT NË BUJQËSI
TETOR-NËNTOR-DHJETOR 2019 463,660 persona
TETOR-NËNTOR-DHJETOR 2020 450,626 persona
13 MIJE E 34 PERSONA MË PAK