KQZ numëron 90% të votave, kryeson Vetëvendosje, ndjekin PDK dhe LDK

schedule07:17 - 15 Shkurt, 2021

schedule 07:17 - 15 Shkurt, 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vazhduar publikimin e rezultatit të zgjedhjeve të përkohshme parlamentare të mbajtura me 14 shkurt.

Sipas rezultateve të fundit të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e 90 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka siguruar 48.17% për qind apo mbi 337 mijë vota.

Partia e dytë, Partia Demokratike e Kosovës deri me tani ka 17.33 për qind, apo 122.588 mijë vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.40 për qind apo 94.802 mijë vota.

Në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.61 për qind apo 53.814 mijë vota – ndërkaq, Nisma nuk e ka kaluar pragun zgjedhor me 2.74 për qind. Në këto zgjedhje morën pjesë 47 për qind e votuesve. Të drejtë vote kishin mbi 1.7 milion qytetarë.

Ndryshe, rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta. Për zgjedhjet e 14 shkurtit, të drejtë vote kishin 1.794.862 persona, ndërkaq qytetarët kanë votuar në 888 qendra të votimit me 2.382 vendvotime.

Këto zgjedhje ishin rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor 2020 e rrëzoi Qeverinë e Avdullah Hotit, të zgjedhur më 3 qershor.

Gjykata tha se kjo qeveri ishte kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë.

Vendimi i Kushtetueses përcaktoi edhe se personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një periudhë trevjeçare, të mos mund të garojnë në zgjedhje.

Ky vendim ka prekur kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe disa kandidatë tjerë për deputetë edhe nga parti tjera./abncews.al