KQZ i hoqi mandatin Belerit/ Këshilli i Ministrave shkresë Presidencës: Caktoni datën e zgjedhjeve në Himarë

schedule14:55 - 5 Korrik, 2024

schedule 14:55 - 5 Korrik, 2024

Qeveria i është drejtuar me një kërkesë presidentit Bajram Begaj për të caktuar datën e re të zgjedhjeve për bashkinë e Himarës, pasi KQZ vendosi që të shpallë të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit.

Në bazë të ligjit, presidenti i vendit ka 48 orë kohë për tu shprehur në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve të cilat mund të mbahen jo më herët se 30 ditë nga sot e jo më vonë se 45 ditë.

Vendimi për mandatin u mor këtë të premte në mbledhjen ku ishte i pranishëm dhe vetë Beleri.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.

Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!