KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Tiranës, nuk justifikonte pasurinë

schedule10:12 - 6 Shtator, 2022

schedule 10:12 - 6 Shtator, 2022

Komisioni i Pavarur i Kualifikimet ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranës, Bajram Breçani.

KPK gjeti një sërë problematikash në kriterin e pasurisë së prokurorit.

Prokurori i Tiranës, Bajram Breçani u përball të enjten më 1 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balancat negative të konstatuara në hetimin pasuror si dhe për gjetjet në kriterin profesional.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Breçani i krye  nga trupa e KPK, e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Breçani e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 1995 dhe e ka ushtruar këtë detyrë deri në vitin 2000.

Ai është rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 2013 si prokuror në Prokurorinë e Krujës. Një vit më vonë është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit ku ka shërbyer deri në vitin 2016, kur u caktua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Analiza e pasurisë

Fokusi i analizës së Komisionit për pasurinë u përqëndrua në një shtëpi tre katëshe, për të cilën subjekti ka deklaruar se e zotëron së bashku me dy vëllezërit.

Breçani ka deklaruar se disponon një shtëpi banimi me sipërfaqe 145 m2 në një truall me sipërfaqe 460 m2 dhe një pjesë shpati rreth 300 m2. Ai ka shpjeguar se e ka blerë truallin së bashku me dy vëllezërit në vitin 1995, pa dokumente ligjore dhe se e kanë ligjëruar nëpërmjet një kontrate të vitit 1998, kundrejt vlerës 368 mijë lekë.

Subjekti i rivlerësimit ka sqaruar se objekti ka filluar të ndërtohet në fund të vitit 1996 dhe se ka kushtuar 3 milionë lekë. Po ashtu, ka shtuar se ka investuar edhe 2.5 milionë lekë për punime të brendshme dhe arredimin.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Breçani ka deklaruar të ardhurat nga shitja e dy banesave, një në bashkëpronësi me një prej vëllezërve në vitin 1997 dhe tjetrën në Lushnjë në vitin 2001. Po ashtu, ka deklaruar si burim edhe të ardhurat e siguruara nga depozitat në ish-fonadacionin “Xhaferri”, të tërhequra prej tij në vitet 1995 dhe 1996.

Komisioni vëren se shtëpia është ndërtuar në kohën kur subjekti ushtronte detyrën e prokurorit në Lushnjë dhe për këtë arsye i është nënshtruar hetimit lidhur me saktësinë e deklarimeve dhe për ligjshmërinë e burimeve të krijimit.

Nga hetimi paraprak ka rezultuar se trualli është blerë vetëm nga subjekti dhe nga një prej vëllezërve. Po ashtu, ka rezultuar se një prej tre vëllezërve, i cili nuk rezulton të jetë bashkëpronar i truallit, nuk është pjesë e vetëdeklarimit për legalizimin e objektit të dorëzuar pranë ALUIZNI-t.

Sipas KPK, nuk është arritur të vërtetohen periudha e ndërtimit dhe kostot e objektit, ndërkohë që ndërtimi pa leje dhe zënia e truallit janë kryer gjatë periudhës që Breçani ushtronte detyrën e prokurorit.

KPK e ka kryer analizën duke konsideruar si investitorë të kësaj pasurie vetëm prokurorin Breçani dhe një prej vëllezërve, prej nga është konkluduar balancë negative në shumën 4.6 milionë lekë.

Për gjetjet në kriterin e pasurisë, Breçani u mbrojt nga avokati Eritan Shehu, i cili theksoi se ishte sqaruar se emri i vëllait nuk figuron në dokumentacion pasi nuk ka qenë i pranishëm në atë kohë. Sipas Shehut, edhe pranë ALUIZNI-t u është thënë se emri i vëllait si bashkëinvestitor në këtë pasuri mund të shtohej në çdo kohë me anë të një deklarate noteriale.

Ai shtoi, se kanë paraqitur një deklaratë noteriale të vëllait të subjektit lidhur me investimin e kryer prej tij. Po ashtu, avokati Shehu pretendoi se një përgjigje e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ASHK, vërtetonte përfshirjen e vëllait në investimin e kryer në objektin tre kate. Sipas tij, në përgjigjen e ASHK-së sqarohej se një prej vëllezërve të subjektit nuk ishte përfshirë në procesin e legalizimit, pasi nuk figuronte në kontratën e shitblerjes së truallit.

“Nuk është formalizuar, pasi është një marrëdhënie mes vëllezërish,” pohoi avokati Shehu.

Lidhur me mungesën e dokumentacionit për shpenzimet e kryera në investimin e kësaj pasurie, Shehu deklaroi se ishte sqaruar dhe më parë se objekit ishte ndërtuar me punëtorë dhe nga vetë vëllezërit Breçani, përfshi dhe subjektin. Sipas tij, nuk ka preventiv dhe se i vetmi dokumentacion për vlerën dhe shpenzimet është një akt ekspertimi.

Avokati Shehu solli në vëmendje një vendim të KPK-së për konfirmimin e një subjekti rivlerësimi, kur një akt ekspertimi i ngjashëm ishte pranuar. Ai theksoi se dy prej anëtarëve të trupës që kishin nënshkruar atë vendim që ishte lënë në fuqi, ishin pjesë e trupës që po kryen rivlerësimin e Breçanit.

Lidhur me konstatimin për ndërtimin pa leje, Shehu vërejti se në atë kohë nuk konsiderohej si vepër penale. Po ashtu, ai përmendi edhe situatën social-ekonomike në ato vite dhe nevojën e subjektit për strehim.

Shehu kundërshtoi analizën financiare për banesën duke pretenduar se i përfaqësuari prej tij rezultonte me balancë pozitive. Ai këmbënguli se arredimi dhe punimet e brendshme ishin kryer ndër vite dhe se shpenzimet për vlerën 2.5 milionë lekë duhej të ishin shpërndarë. Gjithashtu, kërkoi të përfshiheshin në analizë të ardhurat nga ish-fondacioni “Xhaferri”, duke vërejtur se përfitimi i atyre shumave vërtetohej nga përgjigjet e Ministrisë së Financave.

Avokati Shehu dha shpjegime edhe për një konstatim të Komisionit për pamundësi financiare të krijimit të një gjendje cash në vlerën 3.5 milionë lekë të deklaruar në vitin 2013, por që nuk rezulton të jetë pasqyruar në deklaratat e mëvonshme dhe as në atë “veting”.

Sipas tij, subjekti ka kryer një lapsus në deklarimin e shumës, pasi qëllimi ka qenë për të deklaruar shumën 350 mijë lekë si gjendje cash.

Avokati i Breçanit kundërshtoi si të pabazuar edhe konstatimet për pamundësi të blerjes së dy automjeteve, një prej tyre në emër të djalit.

Për një mjet të dhuruar djalit të subjektit nga një i afërm, Shehu depozitoi si prova të reja dokumentacion me vula apostile për të vërtetuar mundësinë financiare të dhuruesit për krijimin e asaj pasurie.

KPK i ka kërkuar subjektit të qartësojë marrdhënien e djalit të tij me një person, i cili në vitin 2009 ka depozituar në llogarinë e tij shumën 25 mijë e 600 dollarë, vlerë që më pas është transferuar për llogari të një shtetaseje kineze.

Sipas Shehut, ka qenë marrdhënie miqësore dhe se djali i subjektit kishte ndihmuar shokun e tij për kryerjen e transfertës për llogari të shtetases kineze.

Relatori Ilia deklaroi në seancë se nga analiza financiare paraprake ka rezultuar balancë negative në vlerën 5.8 milionë lekë për periudhën 1995-2000, ndërsa për vitet 2013-2016 ka rezultuar me vlerë pozitive.

Avokati Shehu këmbënguli se nëse do të përfshihen të gjitha të ardhurat e subjektit, për të cilat ai pretendoi se janë të provuara ligjërisht, atëherë bilanci financiar do të rezultojë pozitiv.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!