Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon ankimimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmoi në detyrë Gerd Hoxhën, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë. KPK e kaloi në datë 3 qershor, në 1 Korrik vendimi iu njoftua Komisionerëve Publikë, ndërsa sot ONM paraqiti rekomandimin për ankimimin e vendimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit kundër Hoxhës.
NJOFTIMI I PLOTE
Në datën 3.6.2021, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.
Vendimi nr. 393, datë 3.6.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë më datë 1.7.2021.
Më datë 8.7.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë./ Abcnews.al