Ndërsa industria e luksit po përballet me ngadalësim, kozmetika premium vijon të shënojë rritje, e nxitur nga konsumatorët që po preferojnë produkte më të përballueshme për të pasur një pjesë të luksit.
Në “Galeries Lafayette” në Paris, sektori i kozmetikës tërheq një numër të madh klientësh. Në banakun e “Louis Vuitton”, klientët testojnë parfume dhe produkte të ndryshme bukurie, ndërsa çmimet e larta të çantave dhe artikujve të modës po i bëjnë blerjet e tilla më të vështira për shumë konsumatorë.
Sipas firmës konsulente “Circana”, në gjysmën e parë të vitit shitjet e kozmetikës së nivelit të lartë u rritën me 7% në Amerikën e Veriut, 5% në Evropë dhe 10% në Amerikën Latine.
“Ky shënon vitin e pestë radhazi të rritjes së fortë në tregun e kozmetikës prestigjioze në mbarë botën”, thotë Mathilde Lion, drejtoreshë në “Circana”.
Grimi, një mënyrë më e përballueshme për të konsumuar luksin
Ekspertët vlerësojnë se kozmetika, veçanërisht grimi, u ofron konsumatorëve mundësinë për të blerë produkte të markave luksoze pa shpenzuar shuma të mëdha për një çantë apo veshje.
Markat e mëdha të luksit po e shfrytëzojnë këtë tendencë. “Hermès” prezantoi linjën e buzëkuqëve në vitin 2020, ndërsa “Celine” hyri në tregun e bukurisë në vitin 2024.
Kjo strategji vjen në një periudhë kur moda dhe artikujt prej lëkure, tradicionalisht ndër segmentet më të rëndësishme të luksit, po përballen me vështirësi.
Në gjysmën e parë të vitit, divizioni i modës dhe artikujve prej lëkure i LVMH, ku bëjnë pjesë marka si “Dior” dhe “Celine”, regjistroi një rënie prej 5%. Të njëjtën rënie shënoi edhe divizioni përkatës i “Kering”, që përfshin marka si “Gucci” dhe “Balenciaga”.
Ndërkohë, sipas “Bain & Company”, tregu global i luksit pritet të humbasë 20 milionë klientë mes viteve 2024 dhe 2025, pas humbjes së rreth 50 milionë klientëve në vitet e mëparshme.
“L’Oréal” merr vëmendjen
Rritja e sektorit të bukurisë po reflektohet edhe në tregjet financiare. “L’Oréal”, kompania më e madhe e industrisë së bukurisë në botë, që zotëron marka nga segmenti masiv deri te ai luksoz, përfshirë “Lancôme”, ka kaluar LVMH-në në renditjen e kompanive të CAC 40.
Eksperti i industrisë Eric Briones e konsideron këtë një tregues të ndryshimit të peshës së sektorëve, duke argumentuar se qendra e gravitetit të luksit po zhvendoset nga moda drejt bukurisë.
Një rol të rëndësishëm në këtë tendencë luan edhe Gjenerata Z, e cila, sipas ekspertëve, po i kushton më shumë rëndësi kujdesit ndaj vetes dhe pamjes.
10 mijë euro për një litër serum
Megjithatë, çmimet e produkteve të luksit në sektorin e bukurisë po arrijnë nivele të larta.
Një serum i markës zvicerane “La Prairie” kushton rreth 300 euro për 30 mililitra, që përkthehet në rreth 10 mijë euro për litër. Ndërsa një krem “La Mer” i “Estée Lauder”, në paketimin 500 mililitra, shitet për rreth 2,970 euro.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e çmimeve mund të ketë efekt të kundërt në afat të gjatë, duke i shtyrë konsumatorët drejt markave më pak të ekspozuara ose produkteve më të lira, përfshirë kozmetikën e frymëzuar nga markat e luksit.
Në këtë panoramë, bukuria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga motorët kryesorë të industrisë globale të luksit.


