Kotzias: Shpresoj që marrëveshja e Prespës të ratifikohet sa më shpejt

schedule17:37 - 19 Tetor, 2018

schedule 17:37 - 19 Tetor, 2018

Ish-ministri i jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias deklaroi se shpreson që marrëveshja e Prespës të ratifikohet sa më shpejt. Duke bërë shaka me gazetarët, Kotzias tha se kjo marrëveshje i kishte kushtuar postin e ministrit.

Pas dorëheqjes nga posti i ministrit të jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias ka folur sërish për marrëveshjen e arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit. Ai tha se shpresonte që marrëveshja e Prespës të ratifikohej sa më shpejt. Duke bërë shaka me gazetarët ai u shpreh se kjo marrëveshje i kishte kushtuar madje dhe postin e ministrit. Por gjithësesi ai mbrojti vendimin e tij për dorëheqje duke e cilësuar si të ndershëm dhe theksoi se ofendimet ndaj tij personalisht dhe “ndaj përgjegjësisë së një politikani që të japë dorëheqje kur ka mendime të ndryshme”, ishin çështje që duhen diskutuar. Kjo pasi sipas tij prapa ofendimeve dhe ofenduesve “ekzistojnë interesa, dhe mungesa e etikës”.

Ish shefi i diplomacisë greke u shpreh i gatshëm që mediat në vend të publikojnë letrën e tij të dorëheqjes prej nëntë faqesh, pasi aty kuptohen më së miri arsyet se pse mori atë vendim.
Referuar përplasjes së fundit me ministrin e mbrojtjes Kamenos, Kotzias u shpreh se politikën e jashtme të një vendi e drejton kryeministri dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa Ministria e Mbrojtjes, mbështet zbatimin e politikës së jashtme. Ministria e punëve të jashtme nuk është numri 2 dhe kjo duhet të jetë e qartë, theksoi ai./abcnews.al