Kosto e shërbimit të borxhit do të rritet mbi 52% këtë vit, si pasojë e një zgjerimi të fortë të kësteve të ripagesave të principalit.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave kosto e shërbimit të borxhit këtë vit arrin në 98.6 miliardë lekë me një rritje 52 për qind në raport me vitin 2019.
Kostot e shërbimit të borxhit këtë vit arri nivelin më të lartë që nga viti 2015 dhe po nxitet kryesisht nga pagesat e principalit. Nga 98.6 miliardë lekë që do të paguhen më 2020, mbi 63 miliardë lekë është principal dhe 35 miliardë janë interesat për borxhin e brendshëm dhe atë të jashtëm.
Për vitin që vjen kosto e shërbimit e borxhit parashikohet të ulet me 18 për qind në raport me këtë vit duke, shkuar në një total prej 80 miliardë lekësh, ku 39 miliardë lekë pritet të jenë pagesa interesi dhe 40 miliardë lekë nga principali.
Në fund të muajit qershor 2020, borxhi i qeverisjes qendrore u vlerësua në nivelin 1,265.1 miliard Lekë ose 80.5% e PBB. Në terma nominal, stoku i borxhit të qeverisjes qendrore është rritur më rreth 153 miliard lekë krahasuar me fundin e vitit 2019, nga të cilat 41 miliard lekë i përkasin borxhit të brendshëm dhe 112 miliard Lekë borxhit të jashtëm.
Ministria e Financave analizon se, rritja e stokut të borxhit ka ardhur kryesisht nga masat e mara në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë Covid 19, si edhe nga emetimi i Eurobondit në muajin qershor 2020 (nga i cili 250 milion euro do të ripaguhen në muajin nëntor 2020 për maturimin e Eurobondit të vitit 2015.
Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2021, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet me rreth 2.5%, për të shkuar në 78.5%.
Nga pikëpamja e kompozimit të borxhit, pritet të ketë një rritje në favor të borxhit të të brendshëm.
Ministria e Financave ka planifikuar që huamarrja e re pritet të të përqendrohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve.
Huamarrja e huaj do të të realizohet nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë ecurinë e zbatimit të projekteve prioritare të qeverisë. Gjithashtu, pritet të ketë edhe disbursime të huave në formën e mbështetjes buxhetore nga kreditorë multilateral, në kuadër të mbështetjes së së Shqipërisë në zbutjen e efekteve të krijuara nga pandemia COVID-19 dhe në kuadër të mbështetjes së reformave të qeverisë.
Qeveria pret që borxhi publik këtë vit të arrijë në gati 81% të PBB-së, një nivel rekord historik, ndërsa sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, borxhi do i tejkalojë 83% të PBB-së në 2020-n./Monitor