Elsa Sokoli është vajza e vogël e një familje me pesë anëtarë nga Hasi. Rreth pesë muaj më parë fitoi të drejtën e studimit për gjeografi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Prej atëherë nga qyteti i vogël në verilindje të vendit u zhvendos në kryeqytet.
“Erdha, çdo gjë kishte çmime shumë të larta, provova të futesha në punë, por që nuk ja dola dot se edhe puna edhe shkolla është shumë e lodhshme dhe nuk i arrija dot të dyja, kështu që u detyrova të ndaloj punën dhe të rri vetëm në shkollë.”
Në këto kushte studentja e gjeografisë zgjodhi të jetojë në godinën numër 20 në “Qytetin Studenti”. Pagesa e ulët ishte lehtësi për të.
“Unë qëndroj në konvikt. Kushtet janë të mira. Në fakt shumë të mira. 55 në muaj. Se ishte pjesa e pagës më e ulët. Kjo është arsyeja. Të isha në shtëpi me qera, 40 mijë lekë në muaj, atë shumë të qerasë unë e shpenzoj gjithë muajin e nuk do ja dilja dot.”
Por pagesa për strehimin nuk është shpenzimi i vetëm i një të riu nga rrethet që vjen për të studiuar në Tiranë. Tarifa e shkollës, ushqimi, librat, por dhe ndonjë kafe me shokët janë të tjera kosto që i shtohen buxhetit të tyr.e
“Unë shpenzoj tek maksimumi, 30 mijë lekë në muaj, për ushqime, libra, gjëra bazë të studentëve që mund të kenë.”
Për t’i përballuar, Elsa mbështetjen e gjen tek familja. Por ata studentë që nuk e kanë këtë mundësi, mësojnë në universitetet publike, nuk përjashtohen nga tarifat e studimit dhe nuk përfitojnë bursë mund të marrin kredi të butë ku pjesa më e madhe e normës së interesit financohet nga buxheti i shtetit.
Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë ka çelur aplikimet dhe të rinjtë e intersuar mund të aplikojnë online përmes këtij formulari.
Shuma e kredisë që ata përfitojnë parashikohet të mbulojë tarifën e studimit dhe koston e jetesës e cila përllogaritet deri në kufirin e pagës minimale mujore për të gjithë vitet e studimit.
Kredia studentore me kushte të lehtësuara është një prej programeve që po harton Ministria e Arsimit për të mbështetur studentët në vend./abcnews.al