Tre vite nga ngjarja e rëndë në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ku Kostandin Katsifas, mbeti i vdekur me dy plumba kallashnikovi, prokuroria e Gjirokastrës ka pushuar hetimet për këtë çështje. Prokurori ka dërguar një kërkesë në gjykatë duke kërkuar pushimin e procedimit penal.
Mediat greke janë të revoltuara me hetimin e prokurorisë shqiptare, që siç citojnë ata ka arritur në përfundimin e se minoritari grek kreu vetëvrasje. Prothothema shkruan se artikulli i shpërndarë në mediat shqiptare i hedh akoma më shumë benzinë zjarrit.
Në seancën e drejtuar nga Suela Dassi, bazuar në raportet e organit të akuzës është arritur në këtë përfundim, gjatë një seance ku të pranishëm ishin edhe familjarët e viktimës, të cilët kanë kërkuar të informohen për aktet hetimore dhe balistikën e armës.
Sipas medias greke, autoritetet shqiptare pohojnë se Katsifas kreu vetëvrasje më 28 tetor 2018 pasi u rrethua nga forcat e RENEA-s në fshatin Bularat të Gjirokastrës.
Por për shkak se të afërmit e Katsifas nuk ishin informuar për përmbajtjen e dosjes gjatë gjykimit, gjyqtarja e çështjes, Suela Dassi, urdhëroi Prokurorinë të tërhiqte dosjen për të dorëzuar një kopje të hetimit. Sipas legjislacionit, anëtarët e familjes kanë të drejtë të kërkojnë rishikim të pretendimeve të Prokurorisë. m.v/Abcnews.al