Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kosovë/ Shtatë ditë kohë për presidentin e ri, partitë ende pa kandidat

schedule10:26 - 29 Shtator, 2026

schedule 10:26 - 29 Shtator, 2026

Kanë mbetur vetëm shtatë ditë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por partitë parlamentare ende nuk kanë bërë publik një kandidat që mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

6 tetori 2026; është afati i fundit brenda të cilit Kuvendi duhet të përfundojë procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Aktualisht, detyrën e presidentes po e ushtron kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Mandati i saj gjashtëmujor si ushtruese e detyrës së presidentes përfundon më 4 tetor, ndërsa ende nuk dihet se si do të zgjidhet çështja pas skadimit të kësaj periudhe.



Kuvendi u mblodh të hënën, por zgjedhja e presidentit nuk ishte pjesë e rendit të ditës. Pas seancës, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk dhanë sinjale konkrete për një marrëveshje rreth një kandidati.

LVV ende pa kandidat

Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe parlamentare, nuk ka bërë ende të ditur nëse ka një emër të ri për postin e presidentit.

Kryeministri Albin Kurti është takuar veçmas me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Takimet u zhvilluan lidhur me një deklaratë të përbashkët për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Deri tani, nuk është bërë e ditur nëse në këto takime është diskutuar edhe çështja e zgjedhjes së presidentit.

Kurti ka deklaruar më herët se, nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta brenda dy viteve. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme e të kushtueshme”, kishte deklaruar Kurti.

Sejdiu u tërhoq nga kandidatura

Një nga emrat e propozuar më herët për president ishte Bekim Sejdiu. Ai njoftoi më pas tërheqjen nga kandidatura.

Sejdiu ishte propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja, por kandidatura e tij nuk arriti të kalojë në fazën e votimit, pasi disa deputetë të LDK-së votuan kundër.

Pas tërheqjes së tij, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë kandidat tjetër.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Ne edhe si parti kemi thënë që është e rëndësishme që t’i shmangim zgjedhjet, meqë kemi pasur zgjedhje, por kjo kërkon vullnetin e të gjitha grupeve parlamentare, ose të gjitha partive politike. Ne, si të vetëm nuk mundemi me i dhanë president Kosovës, por jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë për themelimin e këtyre institucioneve”, tha Lushaku.

PDK: Çështja e presidentit nuk duhet lidhur me Specialen

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka mohuar se votimi për projektligjin e propozuar nga partia e tij për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mund të kushtëzojë votimin për presidentin.

“Janë tema që nuk duhet me i lidhë. Ligji është temë e veçantë, është përgjegjësi kombëtare, institucionale, politike dhe individuale e secilit deputet shqiptar. Ndërsa çështja e presidentit është çështje e vullnetit të partive politike, që patjetër duhet me pasë qasje proaktive, konsensus dhe mos me qenë shkaktarë të zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, tha Tahiri.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar mungesën e një procesi politik për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Sipas tij, partitë duhet të përqendrohen te çështjet institucionale dhe afati i 6 tetorit, duke paralajmëruar se në të kundërtën vendi përballet me një situatë të re politike.

Kryesia e Kuvendit është kompletuar

Në seancën e fundit, Kuvendi zgjodhi me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Vlora Çitakun e PDK-së në postin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.

Me zgjedhjen e saj u kompletua Kryesia e Kuvendit.

Kryetare e Kuvendit është Albulena Haxhiu e LVV-së, ndërsa nënkryetarë janë Ardian Gola i LVV-së, Kujtim Shala i LDK-së, Tanja Vujoviq e Listës Serbe dhe Emilija Rexhepi nga komunitetet joserbe.

Megjithatë, përkundër kompletimit të Kryesisë së Kuvendit, zgjedhja e presidentit mbetet ende e pazgjidhur.

Partitë parlamentare kanë edhe shtatë ditë në dispozicion për të arritur një marrëveshje për kandidatin për president, përpara skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese më 6 tetor 2026.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!