Kosovë, ligjvënësi amerikan Mike Turner takohet me Presidenten Vjosa Osmani

schedule20:25 - 31 Gusht, 2023

schedule 20:25 - 31 Gusht, 2023

Kryetari i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Zbulimit, Mike Turner, po qëndron në Prishtinë, ku u takua të enjten me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në takim është diskutuar për sfidat e sigurisë të cilat mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon dhe dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Muaji shtator mund të jetë periudhë përpjekjesh të reja për u rihapjen e diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për një takim të nivelit të lartë mes palëve.

Kryetari i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Zbulimit, Mike Turner, po qëndron në Prishtinë, pas vizitës së një dite më parë në Beograd, në një periudhë tensionesh mes palëve lidhur me situatën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Ligjvënësi Turner, u takua të enjten me presidenten e Kosovës, Vjosa Osamni, dhe sipas zyrës së presidentes në takim është diskutuar për sfidat e sigurisë të cilat mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

Në një komunikatë të zyrës së presidentes, zonja Osmani citohet të ketë thënë se “Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës ndërsa ka akuzuar Serbinë për veprime destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi”.

“Presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i cili të mërkurën u takua me zotin Turner, tha sot se është e vështirë të gjendet një zgjidhje kur autoritetet në Prishtinë kërkojnë arsye për konflikt dhe sulm ndaj vendbanimeve serbe në veri të Kosovës. Ai tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të zgjidhte telashet por sipas tij autoriteteve në Kosovë nuk u shkon ndërmend ta formojnë atë.

Situata në veriun e Kosovës u tensionua nga fundi i muajit maj kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave me shumicë serbe u përcollën me forca të policisë për në ndërtesat komunale, mes kundërshtimesh të ashpra të banorëve lokalë.

Që atëherë diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për uljen e tensioneve në veri përmes një plani të Bashkimit Evropian që parasheh pezullimin e operacioneve në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë tashmë kanë përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe janë duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Kosova është vënë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për mungesë të bashkërendimit lidhur me zhvillimet në veri të vendit. Të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë se do të përballen me pasoja nëse nuk veprojnë me përgjegjësi kundruall situatës në veri duke nënvizuar mundësinë e rishikimit të zotimeve për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike.

Muaji shtator mund të jetë periudhë përpjekjesh të reja për uljen e tensioneve në veri dhe rihapjen e diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për një takim të nivelit të lartë mes palëve./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!