Kosovë, 16 vjet nga vdekja e Presidentit Ibrahim Rugova

schedule08:06 - 21 Janar, 2022

schedule 08:06 - 21 Janar, 2022

Sot shënohet 16-vjetori i vdekjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006,pas një beteje me kancerin në mushkëri. Ai u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e 16-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe te varri i tij në Velani. Ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Kush ishte Ibrahim Rugova?

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë të Komunës së Istogut. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babanë, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.

Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.

Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.

Më 1996, Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Autor i dhjetë librave, Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismëredaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.

Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, e cila u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë dhe parti e grupe të tjera.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!