Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të zhvillojnë këtë vit stërvitjen e parë të përbashkët trepalëshe, që do të jetë në përputhje me konceptin strategjik të NATO-s “dhe objektivave euroaltantike”.
Kështu tha ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, pasi sot u zhvillua një takim trepalësh i shefave të mbrojtjes të tri shteteve, në kuadër të një deklarate që kanë arritur vitin e kaluar për fushën e mbrojtjes.
Takimi në Shqipëri kishte në fokus diskutimet për zgjerimin e bashkëpunimit përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, tha Forca e Sigurisë së Kosovës.
Përmes një njoftimi, Forca e Sigurisë së Kosovës tha se gjenerali Bashkim Jashari përfaqësoi Kosovën në këtë takim trepalësh, ku u diskutua për sfidat e sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e kapaciteteve të mbrojtjes në përputhje me standardet euroatlantike.
Shqipërinë në takim e përfaqësoi gjenerali Arben Kingji, ndërkaq Kroacinë gjenerali Tihomir Kundid.
“Takimi konfirmoi përkushtimin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon. Po ashtu, ky takim potencoi gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit strategjik”, u tha në njoftim.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, e cilësoi si hap të rëndësishëm këtë takim, që është në kuadër të deklaratës trepalëshe për fushën e mbrojtjes.
“Më shumë bashkëpunim ushtarak, më shumë ndërveprueshmëri, më shumë gatishmëri operacionale”, shkroi Vengu në rrjetet sociale.
FSK-ja tha se kjo deklaratë për mbrojtjen përfaqëson një “shembull të partneritetit të fortë” dhe vizionit të përbashkët të tri shteteve për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Sipas deklaratës së fushës së mbrojtjes të arritur vitin e kaluar, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Ky pakt i mbrojtjes thotë se të tri shtetet do të bashkëpunojnë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve më herët gjatë shkurtit zhvilluan një takim ku biseduan për zbatimin e kësaj deklarate.
Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar në mars të vitit të kaluar u cilësua si “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.


