Ministria e jashtme e Kosovës reagoi të premten ndaj atyre që ajo i quajti ide të gabuara për lidhjen e dy proceseve, dialogut me Serbinë dhe liberalizimin e vizave. Dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe proceset në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian duhet të ecin ndaras dhe pa kushtëzime, theksoi Ministria e jashtme.
Ministria e jashtme e Kosovës tha se përpjekja e disa zyrtarëve të rinj në Bruksel për të dhënë idenë që Liberalizimi i Vizave për kosovarët të ndërlidhet me përfundimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është e gabuar.
Kjo ide jo vetëm që është shkelje eklatante e së drejtës për lëvizje të lirë, por po ashtu është edhe ngatërrim i dy çështjeve, pra dy proceseve që nuk mundet dhe nuk duhet të ndërlidhen, tha ajo, duke shtuar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë synon të ndërtojë bazamentin për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore.
Dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe proceset në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian duhet të ecin ndaras dhe pa kushtëzime, theksoi Ministria e jashtme.
Ministria e jashtme e Kosovës tha gjithashtu se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duhet të mbahen peng të ideve “interesante”, tekave dhe vullneteve të pamatura dhe imponuese, pavarësisht se nga kush vijnë si ide./abcnews.al