Kosova, pjesë e programit të UEFA-s për futbollin në shkolla

schedule14:45 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 14:45 - 5 Dhjetor, 2018

UEFA ka një lajm të rëndësishëm për Kosovën. Federata e shtetit më të ri në Europë është pranuar në një nga projektet për futbollin e moshave.

U mbushën 2 vjet e gjysmë nga ky moment solemn. Kosova u pranua në maj të vitit 2016 në UEFA dhe në FIFA, ndërsa sot bëhet pjesë e programit të rëndësishëm “Rrënjët e Futbollit”.

Është vetë UEFA që jep lajmin dhe përgëzon shtetin më të ri të Europës për arritjen më të fundit. Pranimi i Kosovës në këtë program do të thotë më shumë investime me mbështetjen e UEFA-s.

Projekti “Rrënjët e Futbollit” apo “Grasruts” (Grassroots) në anglisht, përfshin futbollin në shkolla dhe atë për fëmijë e të rinj në përgjithësi, futbollin amator, futbollin për invalidët, për veteranët si dhe atë që quhet “futbolli me ecje” që vlen për moshat e mëdha.

UEFA i jep asistencë teknike dhe financime çdo federate anëtare të saj për të zhvilluar Rrënjët e Futbollit, me projektet që kanë nisur nga viti 2004.

Vlerësimi është i madh jo vetëm për ndikimin që ky projekt ka në lojën e futbollit, por edhe më shumë për ndikimin pozitiv në mënyrën e jetesës së fëmijëve, të rinjve dhe njerëzve të çdo moshe.

Ky është hapi tjetër i Kosovës drejt integrimit në topkëmbën kontinentale, ndërsa hapat e tjerë kanë qenë pjesëmarrja e ekipeve përfaqësuese në eleminatoret e Europianit, Botërorit apo Ligës së Kombeve, si dhe pjesëmarrja e klubeve në Champions dhe në Ligën e Europës. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!