Kosova me mungesa, Challandes: Ia dalim si familje, Ibra markohet vetëm nga 11 lojtarë

schedule20:17 - 27 Mars, 2021

schedule 20:17 - 27 Mars, 2021

Benard Challandes, trajneri i Kosovës, ka dalë në konferencë për mediat në prag të ndeshjes që Dardanët kanë kundër Suedisë, nesër prej orës 20:45. Mesfushori Valon Berisha nuk do të jetë i gatshëm për shkak dëmtimi dhe shpresohet të rikuperohet për duelin ndaj Spanjës.

I pyetur në lidhje me mungesat në mbrojtje, të Rrahmanit dhe Dresevic, zvicerani deklaroi: “Në kokën time e kam të qartë se si do të zëvendësohen këta dy lojtarë, por natyrisht nuk do t’i them emrat në konferencë. Të gjithë lojtarët që janë të grumbulluar janë të gatshëm të luajnë.

Nesër do ta shohim se cilët do të zbresin në fushë. Natyrisht mungesa e Rrahmanit dhe Dresevic është shumë e madhe, por kam besim të madh te lojtarët që kam tani në dispozicion”. Më pas ai vlerëson maksimalisht Suedinë dhe tregon se sa lojtarë duhet për ta markuar sulmuesin e Milanit, Zlatan Ibrahimovic.

“Suedia është një nga skuadrat më të mira në botë. Mjafton ta shohim renditjen dhe  janë ndër 20 kombëtaret më të mira në botë. Për të marrë rezultat pozitiv na duhet një ndeshje shumë e mirë. Siç e dini, ne kemi mungesa të mëdha. Na mungojnë pesë futbollistë shumë të rëndësishëm.

“Mbulimi i Ibrës? Jo dy, por na duhen 11 futbollistë për ta ndalur Zlatan Ibrahimovic. Ne jemi si familje dhe duhet të luftojmë të gjithë”, shtoi Challandes, i cili pyetet edhe nëse do të ishte i kënaqur me një barazim në transfertën kundër Suedisë.

“Mbase mund të jemi të kënaqur me barazim, mbase jo. Nëse do të kemi një paraqitje të mirë, natyrisht nuk do të kënaqesha me barazim. Nëse vuajmë, atëherë do të kënaqesha me barazim”, tha në mbyllje trajneri i Kosovës, Bernard Challandes. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!