Nga Erisa Zykaj
Komisioni Europian shpreh keqardhje për zbatimin e vendimit të autoriteteve të Kosovës lidhur me hapjen e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.
“ Na vjen keq për këtë vendim”, është shprehur zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano në videokonferencën e përditshme për shtyp që mbahet në Bruksel nga ekzekutivi europian.
Ai ka nënvizuar, se ky vendim po e largon Kosovën nga qëndrimi europian lidhur me çështjen e Jeruzalemit. Zëdhënësi Stano ka rikujtuar se qëndrimi europian lidhur me Jeruzalemin është i qartë përsa i përket marrëdhënieve diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe ambasadave të tyre të cilat janë vendosura në Tel Aviv dhe jo Jeruzalem.
Stano gjithashtu ka nxjerrë në pah edhe rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe konkluzioneve të Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian lidhur me zgjidhjen e çështjes së Jeruzalemit.
Sipas të dyja qëndrimeve, çështja e Jeruzalemit duhet të zgjidhet përmes dialogut midis Palestinës dhe Izraelit. Të dyja vendet duhet të zgjidhin çështjen e Jeruzalemit si një kryeqytet i përbashket në të ardhmen.
Stano ka theksuar, se vendimi i autoriteteve të Kosovës është për të ardhur keq, duke qenë se Kosova ka identifikuar integrimin europian si prioritet te saj strategjik dhe rrjedhimisht pritet që të veprojë në përputhje me këtë angazhim. /abcnews.al