Kosova kundërshton nismën e Mini-Shengenit tani me emrin e ri Ballkani i Hapur

schedule09:03 - 30 Korrik, 2021

schedule 09:03 - 30 Korrik, 2021

Kosovë: Qeveria marrëveshjen e nënshkruar në Shkup nga Rama, Vuҫiç dhe Zaev, e quan nismë të Novi Sadit pa vizion për rajonin. Njohësit e integrimeve evropiane: Kosova duhet të mbetet vetëm pjesë e procesit të Berlinit.

Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend t‘i bashkohet, madje e kundërshton në ҫdo formë “Mini-Shengenin Ballkanik”, nismë kjo që iu ndërrua emri në “Ballkani i Hapur”, nga tre udhëheqës në Ballkan, Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev. Tre udhëheqësit e tri vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, nënshkruan në Shkup (29.07) marrëveshjen me të cilën synojnë të heqin kontrollet në kufijitë e tyre për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve, duke filluar nga 1 janari 2023. Nga Forumi për Bashkëpunim Ekonomik, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ftuan edhe vendet e tjera në rajon që t’i bashkohen nismës së tyre – siҫ thonë – “si mundësia e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të lëvizjes”. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana e tij nuk mori pjesë në këtë forum, ndërsa, zyra e tij marrëveshjen e cilësoi si një ide të Novi Sadit, apo e ashtuquajtur “Mini-Shengen”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘Mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një reagim të zyrës së kryeministrit Kurti. Ideja e “Mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke mos ia përmendur emrin, i dërgoi një mesazh kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për kundërshtimin që ai po i bën “Mini- Shengenit”.

“Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, jeton në një botë tjetër. E para, jeton në një botë paralele. E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe për forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është Jugosllavi e madhe, kjo është Jugosllavi e vogël”, tha Edi Rama nga Shkupi.

E presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq tha, se “Edi Rama po bën punë të mirë, ndërsa, kryeministri Kosovar po gabon”.

“Mendoj se Rama po kryen punë të mirë për popullin e tij, e ajo që po bën Kurti, që nuk kupton e që mendon se me mesazhe shoviniste mbyll hapësirën, kërcënon e shantazhon, mendoj se po gabon, por nuk kam asgjë kundër”, tha Vuçiq, transmeton B92.

Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane thonë, se Ballkani Perëndimornuk duhet të largohet nga procesi i Berlinit me nisma vetiake, por duhet të punojë afër bashkë me BE-në për integrim dhe anëtarësim. Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shkup, shkroi se “përkundër ndryshimit të emërtimit, nga Mini-Shengen në Ballkan të Hapur, përmbajtja mbetet e njëjta, fuqizimi i Serbisë”. Ai thotë se kjo nismë nuk ka mbështetje nga BE, pasi nuk ka ndarë asnjë fond financiar.

“Që një iniciativë rajonale të ketë sukses ajo duhet të përmbush minimalisht tre elementet kyçe: Një të ketë gjithëpërfshirje politike. E dyta të këtë fonde për të implementuar projektet rajonale, dhe e treta të ketë strukturë administrative që do të monitorojë zbatimin e zotimeve politike. Iniciativa e Mini-Shengenit nuk ka përmbushur, dhe nuk përmbush, asnjërin nga këto tre kritere bazë”, shkroi Shasha në facebook. Sipas tij, “Kosova ka bëre mirë që ka mbetur konsistente në politikën e saj të jashtme, duke zgjedhur procesin e Berlinit, para aventurës së Mini-Shengenit”.

“Procesi Berlinit gëzon pjesëmarrjen jo vetëm të të gjitha vendeve të Ballkanit, por edhe të të gjitha vendeve më të fuqishme të BE-së, të kryesuara nga Gjermania. Prandaj, për Kosovën zgjidhja mes Gjermanisë dhe Serbisë, çdo herë do jetë një zgjidhje e lehtë”, shkroi Shasha.

Në të njejtën linjë shprehet edhe njohësja e integrimeve evropiane Jeta Krasniqi, nga KDI (Instituti Kosovar për Demokraci) transmeton mediumi Kosovapress. Sipas saj, Kosova nuk duhet të largohet nga procesi i Berlinit.

“Duket që qeveria ka një këndvështrim tjetër, por mbetet për t’u pa për vlerësimet politike dhe ekonomike për mospjesëmarrje në këtë nismë. Nuk duhet të ketë tendenca të zëvendësohen nismat që janë nga BE-ja, pasi ato janë nisma që ne zyrtarisht edhe duam të jemi pjesë e tyre, pasi e shohim veten në BE”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se “asnjë iniciativë rajonale që nuk i përfshin të gjithë, nuk mund të ketë sukses”.

Sidoqoftë, pas kundërshtimit që i bëri marrëveshjes së nënshkruar në Shkup ndërmjet tre udhëheqësve Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev, me të cilën synohet të hiqen kontrollet në kufijitë e vendeve të tyre për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve, qeveria e Kosovës u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike./DW