“Kosova” kthehet në parlamentin serb pas 6 vjetësh

schedule22:33 - 27 Maj, 2019

schedule 22:33 - 27 Maj, 2019

Çështja e Kosovës është kthyer për diskutim pas 6 vjetësh në Parlamentin e Serbisë. Duke mbajtur fjalimin e tij, presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se dialogu me Prishtinën nuk është i lehtë dhe se kusht për vazhdimin e tij është heqja e taksës për produktet serbe.

I pritur me duartrokitje frenetike të deputetëve të partisë së tij dhe të një pjese të opozitës, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, shfrytëzoi foltoren e parlamentit në Beograd për një rikapitullim të zhvillimeve të 20 viteve të fundit, fillimi i të cilave, tha ai, çoi në humbjen e Kosovës.

Dhe, për këtë Vuçiç ka akuzuar palën kosovare, lidershipin serb në Ballë me Millosheviçin, si dhe opozitën serbe. Pa dhënë ndonjë hollësi, apo pa zbardhur platformën e shumëpërfolur serbe, Vuçiç ritheksoi se parakusht për zhbllokimin e dialogut me Kosovën është heqja e tarifave për mallrat serbe të vendosura nga Prishtina zyrtare. Për më tepër, ai pranoi se kjo punë nuk është e lehtë, jo vetëm për të.

“Duhet të bisedoni. A mendoni se dikush e ka mirë të bisedojë me Thaçin? A mendoni se Thaçi e ka mire të bisedojë me mua? Nëse duhet t’ju them, më keq e ka ai të bisedojë me mua se unë me të”, tha presidenti serb në fjalimin rreth dy orësh, gjatë të cilit, duke akuzuar palën kosovare për moszbatim të marrëveshjeve me ndërmjetësim të Brukselit, e quajti meritë të qeverisjes së tij pengimin e aderimit të Kosovës në nëntë organizata ndërkombëtare dhe tërheqjen e njohjes së pavarësisë nga 13 vende.

Është paralajmëruar se debati për Kosovën në parlamentin serb do të vazhdojë dhe nesër, ndërsa në të do të përfshihet edhe kryeministrja Ana Brnabiç. Opozita që bojkoton këtë seance për Kosovën, të parën pas gjashtë vjetësh, ka kritikuar pushtetin se nuk po del me një platformë  konkrete për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Prishtinës e Beogradit për një marrëveshje të qëndrueshme mes dy palëve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!