Kosova kthehet në fushë për ndeshjen e saj të tretë në Ligën e Kombeve. Në orën 20:45, “Dardanët” do të luajnë kundër Izraelit në stadiumin e Debrecenit në Hungari, ndërsa kjo sfidë mund të vendosë shumë për fatin e skuadrës së Franco Foda në grupin 3 të Ligës B.
Pas nisjes me fitoren 1-0 kundër Irlanës, Kosova u mund 3-1 në përballjen e dytë në transfertën e Austrisë, duke ndërlikuar objektivin e saj.
“Nuk mund të them se kjo ndeshje është vendimtare, por është shumë e rëndësishme për ne. Do të ketë ndryshime krahasuar me ndeshjen e fundit. Do të provojmë të luajmë njësoj si ndaj Irlandës. Izraeli është një përfaqësuese e vështirë. Ka futbollistë teknikë, të shpejtë dhe me cilësi individuale. Presim një ndeshje të fortë dhe do të mundohemi të jemi sa më agresivë”tha ai.
Trajneri i Kosovës paralajmëroi edhe ndryshime në formacion, për të korrigjuar gabimet që u bënë në Vienë.
“Është e rëndësishme mënyra se si do të luajmë, si do të paraqitemi, sa kompakt do të jemi, mënyra se si do të qasemi ndeshjes dhe normalisht po ashtu është një prej ndeshjeve ku ne do të bëjmë ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjet e mëparshme” u shpreh Foda.
Kosova mbylli përgatitjet e saj përpara ndeshjes me një dyshim të madh, që lidhet me portierin Arijanet Muriç, që doli nga fusha I dëmtuar gjatë sfidës me Austrinë. Po ashtu, si zgjedhje teknike, Foda ka lënë jashtë kësaj ndeshjeje Zabërgjan, Demakun dhe Sadriun që do të qëndrojnë në tribunë. Pjesa tjetër e lojtarëve është gati për ndeshjen kundër Izraelit.


