Kosova shpall “non grata” dy zyrtarë rusë

schedule16:16 - 22 Tetor, 2021

schedule 16:16 - 22 Tetor, 2021

Kosova ka shpallur “non grata” dy zyrtarë rusë. Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se gjatë kësaj jave Ministria e Punëve të Jashtme i kishte kërkuar që t’i shpallë “non grata” dy zyrtarë të Rusisë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë. Osmani tha se zyrtarët kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Emrat e zyrtarëve rusë të dëbuar nuk janë bërë publikë.

Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së.

Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse. I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend” deklaroi Osmani./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!