Duhet të luajë edhe ndeshjen e kthimit, por Kosova ka hedhur një hap të sigurt drejt promovimit në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” kaluan me suksdes sfidën e parë në fazën e plej-off, duke mundur 2-1 Islandën.
Ndeshja e luajtur në “Fadil Vokrri” të Prishtinës u zhbllokua në minutën e 19-të.
Dellova dërgoi topin në rrjetë për epërsinë e Kosovës, duke ndezur më shumë atmosferën e tifozëve në tribuna.
Por përgjigja e Islandës ishte e shpejtë.
Vetëm tre minuta më pas, miqtë barazuan shifrat me Oskarson.
Pavarësisht përpjekjeve, më të shumta nga ana e të zotëve të shtëpisë pjesa e parë e mbyll në barazim 1-1.
Pas pushimit, Kosova shtoi presionin dhe në minutën e 56-të shënoi golin e dytë me Rexhbecaj.
Realizimi i mesfushorit do të vendoste fatin e sfidës me fitoren e Kosovës, që merr avantazhin në misionin për t’u ngjitur në Ligën B të turneut të rëndësishëm të futbollit europian.
“Dardanët” do të luajnë ndeshjen e kthimit në play off e Ligës së Kombeve, të dielën në kryeqytetin e Islandës, Rekjavik.