Kosova fiton mes tensionit/ “Dardanët”, sukses 4-0 në Qipro në Ligën e Kombeve

schedule15:54 - 10 Shtator, 2024

schedule 15:54 - 10 Shtator, 2024

Talenti nuk i mungon, pavarësisht çdo rezultati.

Kosova e tregoi këtë në ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, pak ditë pas humbjes së rëndë me Rumaninë dhe kritikave të ashpra që pasuan.

Sfida ishte në Qipro, pra nuk mund të quhej edhe aq e lehtë, por skuadra e mbiquajtur “dardane” nuk diskutoi asgjë.

Fitorja 4-0 flet vetë, dhe epërsia në fushë ishte e dukshme, edhe pse qipriotët luftuan fort.

Vedat Muriqi ishte heroi, me gol të shënuar me penallti që në minutën e 9-të dhe me dyfishimin e rezultatit në të 21-ën.

Pra epërsia u thellua shpejt.

Pas pushimit, pa kaluar shumë minuta, realizuan edhe Albion Rrahmani dhe Lumbardh Dellova.

Ndeshja pati një moment tensioni dhe acarimi, kur disa tifozë ultras të Qipros nxorrën dy parulla në tribunë.

Në njërën shkruhej “Kosova është Serbi”, dhe në tjetrën “Qipro është Greqi”.

Dueli u ndërpre pas protestës së Kosovës, dhe vazhdoi pasi parullat u hoqën.

Duke u kthyer tek sfida, Kosova pati 7 gjuajtje në kuadrat ndaj vetëm 2 të vendasve, dhe mbajti topin 57 për qind.

Në ndeshjen tjetër në grup, Rumania fitoi 3-1 ndaj Lituanisë, dhe kryeson me 6 pikë të plota, ndërsa Kosova e Qipro kanë nga 3.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!