Bashkimi Europian ende nuk e ka shqyrtuar kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat, edhe pse këtë të diel bëhen dy vite nga aplikimi i Prishtinës për anëtarësim në familjen europiane.
Olivier Guerot, ambasadori i Francës në Kosovë, thotë se nuk ka dakortësi nga të gjitha vendet anëtare dhe se Kosova duhet të angazhohet më shumë për dialogun me Serbinë, ku një nga kushtet themelore është zbatimi i marreveshjes së Brukselit dhe aneksi i Ohrit i dakortuar me Beogradin në 2023.
“Unë mendoj se disa anëtarë të BE-së nuk janë plotësisht të bindur se është momenti i duhur. Këtu mendoj se i kthehemi vetë çështjes së zbatimit të [aneksit] Ohrit apo marrëveshjes së 27 shkurtit për të bindur të gjitha vendet anëtare. Ne mbështesim që Kosova përfundimisht të bëhet anëtare e BE-së, sikurse edhe vendet e tjera të rajonit. Ne e shohim qartë rrugën drejt integrimeve evropiane, dëshirojmë që të plotësohen disa kushte, një nga kushtet më të rëndësishme është ky kusht politik që Kosova të jetë plotësisht e angazhuar në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë të dialogut. Për çështje të tjera si gatishmëria për reforma të brendshme, gatishmëria e ekonomisë, gatishmëria e institucioneve, ne shohim një progres të bërë nga qeveria e Kosovës .”
Kosova ka dorëzuar aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në bashkimin Europian në 15 dhjetor të 2022, atëherë kur presidenca e këshillit udhëhiqej nga Çekia ndërsa aktualisht drejtohet nga Hungaria.
Sakaq nga 1 janari 2025, në krye do të jetë Polonia, nën udhëheqjen e së cilës Kosova shpreson në rezultate positive, pasi zv kryeministri Bislimi ka nisur konsultimet me ta, për të nisur shqyrtimi i kërkesës së Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. / abcnews.al