Dorëheqja e presidentit Hashim Thaçi solli një situatë të re politike në Kosovë. Kosova mbeti me ushtrues detyre në këtë pozitë, e deri në gjashtë muaj ka kohë skena politike që të dakordohet për një emër të ri. Në të kundërtën, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Derisa ky afat të afrohet drejt fundit, janë vetëm dy pretendues për këtë detyrë, të paktën zyrtarisht.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tashmë vetëm se është nominuar nga strukturat e partisë së tij për këtë pozitë. Megjithatë, Haradinaj nuk po gjen përkrahje te partitë e koalicionit, pa votat e të cilave nuk mund të emërohet në karrigen kryesore të shtetit.
Krahas Haradinajt, së fundmi në skenë ka dalë edhe një emër i ri, pretendent për president të vendit.
Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për President të Kosovës.
Idrizi, tashmë iu ka dërguar edhe letra partive politike duke kërkuar përkrahje nga ta.
Të paktën zyrtarisht, Idrizi dhe Haradinaj janë të vetmit persona që po synojnë që të votohen për president të Kosovës.
Tashmë, afati që kanë partitë për të vendosur për një president të ri vetëm se po ecën, e kanë mbetur pak më shumë se pesë muaj për t’u dakorduar.
Nuk janë bërë publike nëse ka edhe diskutime mes partive për të votuar dikë nga subjektet.
LVV-ja thotë se nuk voton asnjë president pa shkuar në zgjedhje, AAK-ja insiston në Ramush Haradinajn, derisa, në LDK, kreu i këtij subjekti, Isa Mustafa del me deklarata interesante se ky post duhet t’i shkojë PDK-së.
Koalicioni nuk i ka shumicën e votave që i duhen për të votuar një president të ri, derisa, këtë mund ta arrijnë vetëm nëse i bashkohen edhe votat e PDK-së.
Në subjektin që udhëhiqet nga Enver Hoxhaj thonë se ditëve në vijim do të ketë zhvillime interesante për këtë temë.
“Deri më tani koalicioni qeverisë nuk ka paraqitur kandidat, as PDK-ja nuk ka paraqitur kandidat. Sa më shumë t’i afrohemi datës, gara do të bëhet më interesante dhe do të dalin pretendentë të rinj”, tha nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj.
Nuk dihet nëse është duke u diskutuar në fshehtësi në mes të partive politike në vend për të votuar një president të ri. Deri atëherë, në këtë pozitë do të qëndrojë Vjosa Osmani.
Këtë funksion, kryetarja do ta ushtrojë deri në përfundim të procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri nga Kuvendi.
Sidoqoftë, Kushtetuta përcakton që kryetarja nuk mund ta ushtrojë postin e u.d. të Presidentit më shumë se 6 muaj. Brenda kësaj periudhe duhet të zgjidhet Presidenti i ri, në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës.
Në pamundësi të zgjedhjes së Presidentit të ri, Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e u.d. të Presidentit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen brenda 45 dite. /Express