Në janar të vitit 2020, Ministria e Financave parashikonte, në Kuadrin Afatmesëm, se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB-vlera e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare që prodhohen nga ekonomia në një vit) do të ishte 1.78 trilionë lekë, ose rreth 14.4 miliardë euro.
Ndonëse qytetet qendrore të vendit ishin goditur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, ekonomia pritej të rritej me rreth 4% në 2020-n, në raport me vitin e mëparshëm, e nxitur dhe nga programet e rindërtimit dhe gjallërimi i konsumit.
Por, marsi i ktheu përmbys të gjitha parashikimet. Ekonomia shqiptare, ashtu si ajo globale, hyri në një territor të paeksploruar më parë, kur ajo u bë “kurban” për një çështje më madhore, minimizimin e jetëve të humbura nga infeksioni i Covid-19, që u përhap me shpejtësi që nga 11 marsi, kur u shënua dhe rasti i parë tek ne. Rritja ekonomike tashmë është një ëndërr e largët, ashtu siç po ndodh në pothuajse gjithë globin.
Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi së fundmi se ekonomia shqiptare pritet të bjerë me 5% në vitin 2020, për t’u rimëkëmbur më pas me 8% në vitin 2021.
Kjo rënie prej 5%, duke marrë në konsideratë një nivel inflacioni prej 2-2.5%, nënkupton që prodhimi i brendshëm në 2020-n do të jetë 43 miliardë lekë më pak se në 2019-n, ose 1.63 trilionë lekë, apo 13.3 miliardë euro (sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, PBB me çmime korente në 2019-n, ishte rreth 1.68 trilionë lekë).
Në raport me prodhimin që pritej të arrihej në 2020-n përpara epokës së Covid-19, diferenca mes skenarit me dhe pa virus është 1.1 miliardë euro, që është dhe humbja që pritet t’i vijë ekonomisë shqiptare këtë vit, nga shpërthimi i pandemisë (shih grafikun).
“Nga një rënie e tillë duhen minimalisht 4 vjet të marrësh veten”, thotë Azmi Stringa, pedagog finance. “Kjo do të thotë mimimalisht 4 vjet shtyrje e rritjes së investimeve të domosdoshme në arsim, shëndetësi dhe infrastrkturë, aq shumë të nën investuara”.
Stringa shton se në kushtet e rënies ekonomike dhe mbylljes së shumë bizneseve “nevoja për stimul fiskal në ekonomi është më e madhe, ndërsa hapësira më e vogël. Presioni është i madh ndaj qëndrueshmërisë së financave publike”.
FMN: Ekonomia pritet të bjerë me 5% këtë vit
Fondi Monetar Ndërkombëtar në Pasqyrën Ekonomike Globale të prilit 2020, parashikon se ekonomia shqiptare pritet që të tkurret me 5% në 2020-n, si rrjedhojë e pasojave që ka shkaktuar pandemia e Covid-19.
Nga shtetet e tjera të rajonit, Maqedonia do të tkurret me -4%, Bosnja -5 , Kosova me -5%, Mali i Zi me -9. Recesionin më të lehtë pritet ta ketë Serbia, që parashikohet të ketë një tkurrje prej 3%.
Shqipëria ka një varësi të lartë nga Italia, partnerit kryesor tregtar të vendit, drejt së cilës shkojnë mbi 50% e eksporteve shqiptare. Italia, ndër shtetet e goditura më rëndë nga Covid-19 pritet të ketë një rënie prej 9% në 2020. Edhe fqinji tjetër, Greqia pritet të ketë një rënie ekonomike prej 10%, duke qenë dy shtetet me humbjen më të madhe në Europë.
Kjo krizë nuk është si asnjë tjetër, thuhet në raport. Së pari, tronditja është e madhe. Humbjet që po vijnë nga emergjenca shëndetësore dhe masat e lidhura me të ka të ngjarë të jenë më të larta sesa pasojat e krizës globale financiare.
Së dyti, si në një luftë apo në një krizë politike, vazhdon paqartësia e rëndë për kohëzgjatjen dhe intensitetin e tronditjes.
Së treti, në rrethanat aktuale ka një rol shumë të ndryshëm të politikave ekonomike. Në krizat normale, politikëbërësit përpiqen të inkurajojnë aktivitetin ekonomik duke stimuluar kërkesën totale sa më shpejt që të jetë e mundur. Këtë herë, kriza është në një masë të madhe si pasojë e masave të nevojshme të kontrollit. Kjo e bën veprimtarinë stimuluese më sfiduese dhe, të paktën për sektorët më të prekur, të padëshirueshëm.
Ka shumë të ngjarë që këtë vit ekonomia globale të përjetojë recesionin e saj më të keq që nga Depresioni i Madh, duke tejkaluar krizën financiare globale një dekadë më parë. Bllokimi i Madh, siç mund ta quajë dikush, parashikohet të zvogëlojë rritjen globale në mënyrë dramatike. Një rikuperim i pjesshëm është parashikuar për vitin 2021, por niveli i PBB-së do të mbetet nën trendin para-virus, me një pasiguri të konsiderueshme për forcën e rimëkëmbjes.
Ka të ngjarë që rënia të jetë edhe më e fortë. Kjo do të ndodhte nëse masat pandemike dhe të kontrollit zgjasin më shumë, ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim goditen edhe më rëndë, vazhdojnë kushtet e shtrënguara financiare, ose nëse shfaqen efekte të tjera zinxhir për shkak të mbylljeve të firmave dhe papunësisë së zgjatur. /monitor