Koreografi dhe artisti francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj do pranohet zyrtarisht si anëtar i Akademisë Franceze të Arteve të Bukura.
Njoftimi u dha nga ambasada franceze në Tiranë, ku shprehet se kjo përbën një moment të madh krenarie edhe për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare.
“Sot është një ditë e jashtëzakonshme për botërisht të famshmin koreograf dhe artist francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, i cili do të pranohet zyrtarisht si anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës🇫🇷. Ky është gjithashtu një moment i madh krenarie edhe për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare.
Ndiqeni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm ceremoninë speciale, e cila do të zhvillohet të mërkurën, më 21 maj 2025, duke filluar nga ora 15:00, nën Kupolën madhështore, prestigjioze dhe historike të Institutit të Francës (Institut de France). Në përfundim të seancës, Angjelin Preljocajt do t’i dorëzohet Shpata e Akademikut e krijuar posaçërisht për të nga Constance Guisset, artiste designer e njohur franceze me famë ndërkombëtare.”, thuhet në njoftimin e ambasadës franceze./abcnews.al

