Koreja e Veriut tha se Shtetet e Bashkuara duhet ta pranojnë se realiteti ka ndryshuar që nga takimet e nivelit të lartë që shtetet kanë zhvilluar më parë dhe asnjë dialog i ardhshëm nuk mund të çojë në dhënien fund të programit të saj bërthamor. Këtë e raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit Kim Jong Un, e cila besohet se flet në emër të vëllait, tha se e pranon që raportet personale mes Kimit dhe presidentit Trump, “nuk janë të këqija”.
Por, nëse Uashingtoni synon të përdorë raportet personale si mënyrë për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore të Veriut, një përpjekje e tillë do të shndërrohej në “një objekt talljeje”, u shpreh Kim Yo Jong, sipas deklaratës së publikuar nga KCNA.
Nëse Amerika dështon që të pranojë realitetin e ndryshuar dhe vazhdon të këmbëngulë në të kaluarën e dështuar, një takim mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve do të mbetet vetëm një shpresë e palës amerikane. Aftësitë e Koresë së Veriut, si shtet me armë bërthamore, si dhe mjedisi gjeopolitik kanë ndryshuar në mënyrë radikale që kur Kim dhe Trump u takuan tri herë gjatë mandatit të parë presidencial të Trump-it. Çdo përpjekje për të mohuar pozicionin e Koresë së Veriut si shtet me armë bërthamore…. do të refuzohet me vendosmëri.
I pyetur lidhur me deklaratën e Koresë së Veriut, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump ende është i përkushtuar ndaj qëllimeve që ka pasur gjatë tri takimeve paraprake të zhvilluara me Kimin gjatë mandatit të parë presidencial.
Presidenti iu qëndron atyre qëllimeve dhe mbetet i hapur për t’u angazhuar me udhëheqësin Kim për të arritur denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut, vuri në dukje një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për agjencinë Reuters.
Në takimin e tyre të parë në Singapor, më 2018-ën, Trump dhe Kim nënshkruan një marrëveshje në parim për ta bërë Gadishullin Korean pa armë bërthamore. Samiti pasues në Hanoi, i mbajtur një vit më vonë, dështoi për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi heqjen e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Phenianit.
Presidenti Trump ka deklaruar se ka “raporte të shkëlqyera” me Kimin dhe Shtëpia e Bardhë tha se presidenti është i hapur ndaj idesë për të komunikuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut. / abcnews.al


