Koreja e Veriut teston raketa potencialisht të afta për mbushje bërthamore

schedule07:57 - 6 Qershor, 2022

schedule 07:57 - 6 Qershor, 2022

Megjithë sanksionet ndërkombëtare Koreja e Veriut vazhdon testimin e raketave me rreze të shkurtër veprimi.

Tetë raketat me rreze të shkurtër u lëshuan brenda tridhjetë minutash nga rajoni Sunan, pranë kryeqytetit të Koresë së Veriut Phenian, në Detin e Japonisë. Për provat me raketa njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut dhe mediat japoneze. Distanca e fluturimit të raketave është tani për tani e paqartë.

Të shtunën (04.06) Koreja e Jugut dhe SHBA përfunduan një manovër të përbashkët ushtarake në shkallë të gjerë, e para e këztyre përmasave prej më shumë se katër vjetësh, në ujërat e ishullit japonez të Okinava. Sipas informacioneve nga Seuli në manovrën triditore ishin përfshirë edhe aeroplanmbajtësja amerikane “USS Ronald Reagan” dhe luftëanije të Marinës së Koresë së Jugut. “Manovra e ka forcuar vendosmërinë e të dy vendeve për t’iu përgjigjur me vendosmëri çdo provokimi të Koresë së Veriut,” tha Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut.

Sundimtari i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka protestuar vazhdimisht kundër manovrave të këtij lloji duke i kritikuar ato si prova për pushtimin e vendit të tij. SHBA-ja dhe Koreja e Jugut, nga ana tjetër, e konisderojnë programin e raketave dhe të armëve bërthamore të Phenianit si një kërcënim. Deri tani forcat e armatosura të Koresë së Veriut kanë kryer këtë vit 23 prova me raketa. Prova e fundit ishte më 25 maj, kur menjëherë pas vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden, në Korenë e Jugut, Koreja e Jugut lëshoi tri raketa. Pas kësaj qeveria amerikane vendosi sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut. Megjithatë nisma e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të marrë masa më të ashpra ndëshkuese ndërkombëtare kundër Phenianit dështoi për shkak të vetos së Kinës dhe të Rusisë.

Qeveria amerikane paralajmëron prej javësh se Koreja e Veriut mund të kryejë së shpejti një provë me armë bërthamore dhe sipas ekspertëve ky vendi ka bomba atomike dhe raketa balistike, por ende nuk ka arritur t’i kombinojë këto dy teknologji./DW/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!