Koreja e Veriut teston një tjetër raketë

schedule12:55 - 25 Janar, 2024

schedule 12:55 - 25 Janar, 2024

Koreja e Veriut tha të enjten se ka testuar fluturimin e parë të një rakete të re lundrimi, ndërsa zgjeron aftësitë e saj ushtarake përballë thellimit të tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët.

Raporti në median shtetërore erdhi një ditë pasi ushtria e Koresë së Jugut tha se zbuloi Veriun duke gjuajtur disa raketa lundrimi në ujërat e bregdetit perëndimor. Nuk u dhanë më shumë detaje lidhur me numrin e raketave të lëshuara ose karakteristikat e tyre të fluturimit.

Media shtetërore e Koresë së Veriut tha se raketa “Pulhwasal-3-31” është ende në fazën e saj të zhvillimit dhe se lëshimi nuk përbën kërcënim për fqinjët. Koreja e Veriut përshkroi raketën si “strategjike”.

Lee Sung Joon, zëdhënës i shefave të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, tha se raketat fluturuan në një distancë më të shkurtër se raketat e lëshuara nga Koreja e Veriut më parë, që sipas tij, Veriu po përpiqej të përmirësonte performancën e sistemeve ekzistuese.

Yang Uk, një analist në Institutin për Studime të Politikave Asan në Seul, tha se Koreja e Veriut po përpiqet të nxjerrë në pah arsenalin e saj diversifikues të armëve me aftësi bërthamore, për të rritur presionin ndaj kundërshtarëve.

Koreja e Veriut kreu testimin e parë të një rakete lundrimi për sulme të mundshme bërthamore në shtator 2021. Prej atëherë, Koreja e Veriut ka kryer të paktën dhjetë raunde testimesh të atyre që i përshkroi si raketa lundrimi me rreze të gjatë të shkrepura nga toka dhe nga deti.

Raketat e lundrimit të Koresë së Veriut priren të tërheqin më pak interes sesa raketat balistike, sepse ato nuk janë të ndaluara në mënyrë specifike nga ndonjë rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Analistët, megjithatë, argumentojnë se raketat e lundrimit me sulm tokësor me rreze të mesme veprimi nuk janë më pak kërcënim sesa raketat balistike, dhe sipas tyre janë një kërcënim serioz nga Koreja e Veriut.

Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë akuzuar Korenë e Veriut se ka ofruar predha artilerie, raketa dhe furnizime të tjera për Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, ndoshta në këmbim të ndihmës ekonomike dhe teknologjisë ushtarake.

Si Pheniani, ashtu edhe Moska, kanë mohuar se Koreja e Veriut po dërgonte armë në Rusi./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!