Koreja e Veriut rikthen planet e armatimit

schedule22:46 - 7 Mars, 2019

schedule 22:46 - 7 Mars, 2019

Përballë të dhënave se pas samitit të Vietnamit, Korea e Veriut u është rikthyer planeve të armatimit, presidenti Donald Trump ka deklaruar se është i hapur për bisedime të mëtejshme me Penianin. Por ai ka shtuar se do të ndihej shumë i zhgënjyer nëse regjimi i Kim Jong Un i kthehet së shkuarës.

Presidenti Donald Trump është i hapur për bisedime shtesë me Korenë e Veriut në lidhje me çarmatimin bërthamor të saj. Deklarata është bërë të enjten nga këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton, i cili ka konfirmuar gatishmërinë e presidentit pavarësisht të dhënave se Peniani po riaktivizon planet e tij ushtarake.

“Presidenti është i hapur për të biseduar sërish. Të shohim nëse një gjë e tillë do të mund të ndodhë, apo nëse do të funksionojë”, ka deklaruar Bolton në një intervistë për “Fox News”. Bolton, i njohur si njeriu i linjës së ashpër ndaj Koresë së Veriut në të kaluarën, ka shtuar se është ende herët të arrihet në përfundimin se koreano-veriorët kanë rifilluar aktivitetet e tyre për të rikthyer testet raketore.

“Kemi shumë mënyra se si e mbledhim informacionin. Do ta shqyrtojmë situatën me kujdes dhe siç ka thënë presidenti, do të ishte shumë zhgënjyese nëse ata do të ktheheshin në drejtimin e së kaluarës”, ka vijuar Bolton.

Aktivitetet e reja të Penianit janë konstatuar në një fabrikë që prodhoi raketën e parë balistike ndërkontinentale të Koresë së Veriut, në gjendje të arrinte Shtetet e Bashkuara. Më herët gjatë javës, shërbimi sekret koreano-jugor deklaroi se regjimi po rindërton një bazë për lëshimin e raketave, duke nxitur reagimin e Trump se do të zhgënjehej shumë nga lideri Kim Jong un nëse një gjë e tillë rezulton e vërtetë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!