Koreja e Veriut njofton rifillimin e suksesshëm të anijes luftarake, që u përmbyt gjatë provës së parë

schedule10:21 - 13 Qershor, 2025

schedule 10:21 - 13 Qershor, 2025

Koreja e Veriut ka deklaruar se ka rifilluar me sukses një nga luftanijet e saj më të reja, me një peshë prej 5,000 tonësh, vetëm pak javë pasi mjeti detar ishte përmbysur gjatë lëshimit të parë në maj, raportojnë mediat shtetërore.

Lideri i vendit, Kim Jong Un, ishte shprehur i tërbuar pas dështimit fillestar dhe kishte urdhëruar që anija të riparohej menjëherë. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, katër zyrtarë janë arrestuar në lidhje me incidentin tre prej tyre janë punonjës të kantierit detar dhe një tjetër zyrtar i lartë shtetëror.

KCNA bën të ditur se luftanija është rikthyer plotësisht në funksion. Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë shprehin dyshime mbi cilësinë e riparimeve, për shkak të ritmit të shpejtë me të cilin është rifilluar përdorimi i saj.

Lëshimi i fundit u mbikëqyr të martën nga vetë Kim Jong Un dhe vajza e tij, Kim Ju Ae, në portin Rajin, në veri të vendit. Media shtetërore publikoi edhe fotografi nga ceremonia.

Kjo anije është një nga dy luftanijet e reja të ndërtuara nga Koreja e Veriut gjatë vitit të fundit, që janë vënë në qarkullim që nga prilli. Aktualisht, ato përbëjnë anijet më të mëdha të flotës koreano-veriore dhe, në teori, kanë kapacitete për lëshimin e armëve bërthamore.

Kim e ka shpallur prioritet zhvillimin e një marine të armatosur me armë bërthamore dhe ka paralajmëruar ndërtimin e dy luftanijeve të tjera të ngjashme brenda vitit të ardhshëm.

Pamjet satelitore të javëve të fundit treguan anijen e përmbysur në port, më pas lëvizjen e saj drejt një zone riparimi, rifutjen në ujë dhe përfundimisht ankorimin në dok.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e së premtes, Kim theksoi se dështimi fillestar nuk ka penguar programin e modernizimit ushtarak të vendit.

“Shumë shpejt, armiqtë do të përjetojnë se sa provokuese dhe e papëlqyeshme është të shohësh anijet e një kundërshtari që lundrojnë pa pengesë pranë ujërave sovrane,” citohet të ketë thënë lideri koreano-verior./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!