Pas dështimit të samitit të Hanoit, Koreja e Veriut i ka bërë thirrje Uashingtonit që të largojë sekretarin e Shtetit Majk Pompeo nga tryeza e negociatave. Peniani e ka cilësuar Pomopeon një negociator të papërgjegjshëm dhe shkaktar për dështimin e dy raundeve të para të bisedimeve.
Korea e Veriut u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të zëvendësojnë sekretarin e Shtetit Majk Pompeo me një negociator më të kuptueshëm dhe më profesional në bisedimet për çarmatosjen bërthamore. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme koreano-veriore e ka akuzuar shefin e diplomacisë amerikane për paaftësi në interpretimin e qëndrimit të Penianit, duke penguar kështu ecurinë e bisedimeve.
“Sa herë që Pompeo fut hundët, bisedimet mes dy palëve përfundojnë pa rezultat, edhe në ato raste kur fillojnë me optimizëm për sukses”, ka deklaruar zyrtari korean. Ai e ka akuzuar sekretarin e Shtetit se flet dokrra, është moskokëçarës dhe ka paralajmëruar se çdo raund i mëtejshëm bisedimesh do të jetë i kotë nëse ai përfshihet. Ndërkohë, vetë lideri koreano-verior po përgatitet për një takim me presidentin rus Vladimir Putin më vonë gjatë prillit.
“Po përgatitet takimi. Sapo të kemi informacione mbi detajet e tij do t’i ndajmë me ju”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov për gazetarët. Sipas disa mediave, Kim dhe Putin mund të takohen në Vladivostok, pak përpara se kreu i Kremlinit të udhëtojë për në Pekin për forumin “Një brez, një rrugë”, i parashikuar për më 26 dhe 27 prill. Të dhënat e fundit vijnë pasi regjimi në Penian testoi një armë të re taktike, event të cilin lideri Kim Jong Un e cilësoi të një rëndësie të madhe. Bëhet fjalë për testin e parë publik që nga samiti i Hanoit, që u mbyll pa një marrëveshje./abcnews.al