Një raketë balistike është lëshuar sot nga Koreja e Veriut drejt Detit të Japonisë.
Informacioni u raportua nga agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap duke cituar Shtabin e Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare në Seul dhe u konfirmua më vonë nga zyra e kryeministrit japonez Fumio Kishida.
Testi i ri i raketës erdhi pothuajse një javë pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale Hwasong-18, në vazhdën e vendosjes së nëndetëses bërthamore amerikane në gadishullin Korean – e para në dekada.
Seuli dhe Uashingtoni po rritin bashkëpunimin në mbrojtje, duke sfiduar paralajmërimet e Phenianit për përshkallëzimin e tensioneve në gadishullin Korean.
Ky është lëshimi i 13-të i raketës balistike nga Pheniani që nga fillimi i këtij viti. Testi më i fundit raketor i Koresë së Veriut u bë ditë më parë.