Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Park Jin i bëri thirrje të premten Kinës që të luajë një “rol konstruktiv” në frenimin e kërcënimeve të Koresë së Veriut, pasi Pheniani lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale këtë javë.
Vërejtjet u bënë gjatë një takimi me kryediplomatin kinez, Wang Yi në margjinat e një takimi të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Xhakartë, ku Park “dënoi fuqishëm” lëshimin e raketës së Koresë së Veriut, shkruan Reuters.
“Është një interes i përbashkët i Seulit dhe Pekinit që Koreja e Veriut të ndalojë provokimet dhe t’i kthehet dialogut”, tha zyra e tij.
Për disa vite, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka qenë i ndarë mbi mënyrën se si të merret me Phenianin, me Kinën dhe Rusinë që thonë se më shumë sanksione nuk do të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve./abcnews.al