Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje që do t’i lejojë Seulit të riatdhesojë 300 punëtorët e arrestuar javën e kaluar nga agjentët e ICE (Immigration and Customs Enforcement) gjatë një operacioni në një kantier në shtetin e Georgias.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut pritet të udhëtojë sot drejt SHBA-së për të marrë pjesë në disa takime ku do të përmbyllen procedurat administrative. Më pas, një fluturim charter do të organizohet për t’i rikthyer të ndaluarit në atdhe, megjithëse një datë e saktë ende nuk është përcaktuar.
Në total, në kantierin në Ellabell u arrestuan 475 persona, operacioni më i madh i këtij lloji në një vend të vetëm. Pamjet e publikuara nga Homeland Security tregojnë dhjetëra punëtorë të shoqëruar nga agjentë të armatosur, të lidhur me zinxhirë në duar, këmbë dhe bel, përpara se të transferoheshin në një qendër për emigrantë të paligjshëm.
Kantieri ku ndodhi aksioni është pjesë e një fabrike gjigante baterish për makina elektrike, një projekt i përbashkët mes LG Energy Solution dhe Hyundai, me investime që parashikohen të arrijnë 8 miliardë dollarë deri në vitin 2031. Mes të arrestuarve ka persona me viza pune, të tjerë të ardhur me programe pa vizë për të dhënë konsulencë teknike, si dhe punëtorë të punësuar nga nënkontraktorë të kompanive koreane.
Autoritetet amerikane thanë se hetimet kishin nisur prej muajsh dhe akuzuan kompanitë për diskriminim të punëtorëve amerikanë. “Nuk mund të lejojmë që punëdhënësit të përfitojnë padrejtësisht duke punësuar punëtorë të paautorizuar”, deklaruan zyrtarët.
Çështja ka shkaktuar reagime të forta në Korenë e Jugut. Presidenti Lee Jae-myung thirri një mbledhje emergjente, ku theksoi se “të drejtat e qytetarëve tanë dhe aktivitetet e investitorëve tanë në SHBA nuk duhet të shkelen padrejtësisht” dhe urdhëroi përpjekje të plota për lirimin e të arrestuarve. Ministria e Jashtme në Seul shprehu “shqetësim dhe keqardhje” për ngjarjen.
Në anën tjetër, presidenti Donald Trump u shpreh i prerë: “ICE thjesht bëri punën e saj”, tha ai para gazetarëve. Vetëm dy javë më parë, Trump kishte pritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin Lee, duke arritur një marrëveshje për uljen e tarifave ndaj makinave koreane nga 25% në 15%, në këmbim të premtimit për investime në SHBA me vlerë 350 miliardë dollarë.
CNN raporton se Trump po përgatit një vizitë në Korenë e Jugut në fund të tetorit, me rastin e samitit të APEC në Gyeongju, ku mund të zhvillohet edhe një takim me presidentin kinez Xi Jinping.

